Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

KDI paralajmëron Kuvendin për gjendjen e Speciales

KDI paralajmëron Kuvendin për gjendjen e Speciales
Foto: gazetaexpress.com

Ende pa përfunduar të gjitha procedurat legjislative për projektligjin për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, sponsorizuesi i tij – PDK-ja – dhe pushteti – VV-ja, janë pajtuar që të vazhdohet me një iniciativë të re ligjore.

Megjithatë, kanë lindur dilemat se si duhet vepruar në këto raste. Për këtë arsye, zyrës ligjore të Kuvendit i është kërkuar opinion.

Veto e presidentes dhe kthimi i ligjit

Ligji për kufizimin e mandatit të Speciales është votuar në Kuvend, por nuk është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani. Në ditën e fundit të afatit për dekretim, PDK-ja ka kërkuar që ligji të kthehet në Kuvend, gjë që presidentja e ka bërë.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë se iniciativa e re nuk mund ta anashkalojë ose ta zëvendësojë procedurën e Kuvendit lidhur me veton e presidentes.

“Do të ishte një situatë tejet paradoksale, e çuditshme dhe madje absurde që një veto ende e patrajtuar në Kuvend, ende e pavendosur nga deputetët, të fillonte në anën tjetër një proces të ri legjislativ për hartimin e të njëjtit ligj, i cili fillimisht është kthyer nga presidentja dhe ende nuk ka marrë përgjigje me votë nga ky Kuvend”, ka thënë ai.

Neni 84 i Rregullores së Kuvendit parasheh se për ta përmbysur veton e presidentes duhen votat e shumicës parlamentare. Përndryshe, konsiderohet se nuk ka ligj.

Bugaqku ka theksuar se mund të ndodhë shumë lehtë që të votohet për rrëzimin e vetos së presidentes dhe të hyhet në një situatë konflikti ligjor.

“Imagjino që të biem në një situatë konflikti ligjor mes një ligji që tashmë ka filluar dhe një ligji që tashmë është në fuqi, pasi është rrëzuar veto e presidentes. Prandaj, deputetët e Kuvendit së pari duhet t’i japin përgjigje vetos dhe kthimit të ligjit nga presidentja, dhe më pas të veprohet qoftë me amendamentimin e ligjit, nëse ky do të jetë në fuqi, qoftë me nisjen e procedurave të reja për hartimin e një ligji të ri mbi Dhomat e Specializuara”, ka thënë Bugaqku.

Procedura e mundshme e re

Nëse vetoja e presidentes nuk rrëzohet, iniciativa e re ligjore, sipas Bugaqkut, në parim do të duhej të trajtohej me procedurat e rregullta të Kuvendit, që mund të zgjasin deri në dy muaj. Megjithatë, sipas tij, mund të veprohet edhe me shmangie nga procedurat.

Kritikat ndaj institucioneve

Avokati Valdet Hoxha ka kritikuar institucionet dhe sponsorizuesin e këtij projektligji për mënyrën se si po veprohet me të.

“Ky çakordim politik, si dhe heshtja e panevojshme, mungesa e arsyetimit dhe mosinformimi i opinionit publik për ecurinë e trajtimit të këtij ligji për Dhomat e Specializuara tregojnë se kemi të bëjmë me një trup politik mediokër, i cili as nuk e merr përgjegjësinë që duhet sipas pozitave që mban”, ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se mungon guximi profesional për ta çuar përpara këtë nismë të ndryshimeve të Ligjit për Speciale.

“Prandaj, sponsorizuesi i ligjit dhe institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria, duhet të vendosin një herë e mirë, ta bëjnë dhe ta procedojnë ligjin, ose të arsyetojnë para qytetarëve pengesat eventuale, të cilat mund të jenë reale dhe të arsyeshme. Por kjo heshtje, mospërgjegjësia dhe kjo ngecje e krijuar janë të papranueshme dhe madje mund të jenë të dëmshme për katërshen e UÇK-së që është dënuar në Hagë”, ka thënë Hoxha.

Seanca e shtyrë

Shqyrtimi i projektligjit për Speciale ishte në rend dite në vazhdimin e seancës javën e kaluar, por ajo nuk u mbajt pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja njoftuan se janë pajtuar për një nismë të re ligjore.

Nisma për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale u ndërmor nga PDK-ja pas dënimit të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Ata janë dënuar në shkallë të parë me 81 vjet burgim gjithsej, me pretendimin se kanë kryer krime lufte. /Koha

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha