TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale bën të ditur se 47 persona kanë marrë trajtim mjekësor pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.
Numri i të lënduarve sipas spitaleve
Sipas përditësimit të MSHMS, deri në orën 21:00, bazuar në informacionet paraprake nga strukturat spitalore, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për të marrë trajtim mjekësor 36 persona. Mes tyre, 12 janë efektivë policie, njëri prej të cilëve është i shtruar në spital; 14 janë protestues, tre prej të cilëve janë të shtruar; gjashtë janë gazetarë, njëri prej të cilëve ndodhet i shtruar nën kujdesin e mjekëve, ndërsa katër të tjerë janë kalimtarë.
Sipas njoftimit zyrtar, të lënduarit e tjerë kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.
Trajtimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 11 të lënduar, nga të cilët tetë efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë personat e paraqitur në QSUT kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.
Burimi: ata.gov.al










