Këto punime me simbolin tonë kombëtar, shqiponjën, i skalit në gur Rustem Majko.
Mjeshtri gurëpunues nga Gjirokastra e ka gjetur këtë formë për të festuar 28 Nëntorin, festën e flamurit.
Punime për festën e flamurit
Në qendrën e artizanatit, këto punime janë pjesë e krijimeve tradicionale që mjeshtrit vendas përgatisin për këtë ditë të veçantë.
Me forma dhe përmasa të ndryshme, shqiponjat e gdhendura kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve. Banorë të Gjirokastrës dhe turistë ndalen pranë punimeve, ndërsa shumë prej tyre i zgjedhin si suvenire që përfaqësojnë simbolikën shqiptare.
Një zanat i ushtruar me përkushtim
Rustem Majko e ushtron prej vitesh këtë zanat, ku çdo punim kërkon përkushtim dhe mjeshtëri. Ai thotë se interesi i vizitorëve për punimet me simbole kombëtare është një vlerësim për artizanët, por edhe një arsye më shumë që kjo traditë të mos humbasë.
Në Gjirokastër, ku guri është pjesë e identitetit të qytetit, mjeshtëria e gurëpunimit vazhdon të përcillet përmes punimeve të tilla.
Burimi: abcnews.al










