TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Buxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale parashikon një fond prej 31.4 miliardë lekësh për mbrojtjen sociale.
Skema e re e bonusit për fëmijët
Një nga ndryshimet kryesore në buxhetin e MSHMS lidhet me skemën e bonusit të bebes. Ky bonus do të kalojë nga një pagesë e vetme në lindje në një mbështetje mujore për pesë vitet e para të jetës së fëmijës.
Sipas skemës së re, që pritet të nisë zbatimin më 1 korrik 2027, familjet do të marrin 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 10 mijë lekë për fëmijën e tretë.
Ndihma ekonomike dhe punësimi
Për ndihmën ekonomike janë parashikuar 6.8 miliardë lekë, me synim mbështetjen e rreth 59 mijë familjeve në nevojë. Krahas pagesës financiare, skema synon të nxisë punësimin, formimin profesional dhe riintegrimin social. Përmes këtyre programeve, rreth 3 500 persona në vit kanë arritur të integrohen në tregun e punës.
Një tjetër kategori përfituese janë gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë, për të cilat vazhdon financimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kjo skemë mbulon rreth 8 900 nëna.
Personat me aftësi të kufizuara
Për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre parashikohen rreth 19 miliardë lekë, me rreth 99 mijë përfitues.
Gjatë vitit 2026 janë dyfishuar pagesat për 10 240 fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërsa janë mbuluar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 14 657 ndihmës personalë.
Një nga objektivat për periudhën 2027–2028 është garantimi i një ndihmësi personal për personat me aftësi të kufizuara, sipas nevojave individuale, përmes përgatitjes së instrumenteve dhe mbështetjes së nevojshme financiare.
Përkujdesja sociale dhe iniciativat e reja
Në fushën e përkujdesjes sociale, buxheti parashikon 1.4 miliardë lekë për institucionet rezidenciale dhe 480 milionë lekë për Fondin Social.
Aktualisht janë ngritur 98 shërbime sociale, të cilat mbështesin rreth 46 500 përfitues dhe kanë krijuar vende pune për 857 profesionistë.
Ndër iniciativat e reja është ngritja e Platformës Kombëtare të mbështetjes për familjet ekstremisht të varfra, e cila do të ketë në fokus 2 763 familje, në bashkëpunim me pushtetin vendor, Kuvendin, shoqërinë civile dhe partnerët e zhvillimit.
Një tjetër nismë e parashikuar është zhvillimi i shërbimeve të reja për të rinjtë me çrregullime të spektrit të autizmit, shërbime gjeriatrie dhe kujdesi paliativ në disa spitale bashkiake, si dhe shërbime toksikologjie në Mat dhe Delvinë.
/e.i/j.p/
Burimi: ata.gov.al










