Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Gjermania miraton reformën e shërbimeve sekrete, BND merr të drejtë sabotimi

Gjermania miraton reformën e shërbimeve sekrete, BND merr të drejtë sabotimi
Foto: balkanweb.com

Bundestagu gjerman miratoi një reformë të gjerë të shërbimeve të inteligjencës, duke u dhënë agjencive kompetenca të reja për të ndërhyrë kundër kërcënimeve të sigurisë, përfshirë operacionet e sabotimit jashtë vendit. Bëhet fjalë për ndryshimin më të madh të legjislacionit të shërbimeve sekrete në Gjermani që nga periudha e pasluftës.

Projektligji u miratua sot, me 308 vota pro, 190 kundër dhe 71 abstenime, sipas raportimit të mediave gjermane dhe ndërkombëtare. Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e cilësoi reformën si „reformën e shekullit“, duke argumentuar se Gjermania duhet të forcojë kapacitetet e saj përballë kërcënimeve të reja nga jashtë dhe brenda vendit.

Ndryshimet prekin dy institucionet kryesore të inteligjencës gjermane: Shërbimin Federal të Inteligjencës së Jashtme (BND) dhe Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), e cila merret me sigurinë e brendshme.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me kompetencat e BND-së, e cila deri më tani kishte kryesisht funksionin e mbledhjes dhe analizimit të informacionit për kërcënimet ndaj vendit.

Me ligjin e ri, shërbimi do të mund të ndërmarrë edhe operacione konkrete kundër objektivave të huaja. Këto përfshijnë çaktivizimin e serverëve që përdoren nga grupet e hakerave të sponsorizuara nga shtete të huaja, infiltrimin e sistemeve kompjuterike të laboratorëve që prodhojnë armë kimike dhe fabrikave të dronëve, me qëllim sabotimin e aktivitetit të tyre.

Kështu, inteligjenca gjermane do të ketë mundësi jo vetëm të zbulojë sulmet dhe kërcënimet, por edhe të ndërhyjë drejtpërdrejt për t’i neutralizuar ato në raste të përcaktuara nga ligji.

BfV do të mund të hyjë fshehurazi në banesa

Reforma zgjeron gjithashtu kompetencat e shërbimit të inteligjencës së brendshme, BfV. Në kushte të caktuara, agjentët e tij do të lejohen të hyjnë fshehurazi në ambiente private, përfshirë banesat, si dhe të përdorin mjete më të avancuara të mbikëqyrjes dixhitale.

Ligji parashikon gjithashtu zgjerimin e analizës së sasive të mëdha të të dhënave përmes inteligjencës artificiale dhe përdorimin e identifikimit biometrik për krahasimin e imazheve.

Megjithatë, agjentët e shërbimeve sekrete nuk do të kenë kompetenca për të kryer arrestime apo kontrolle të hapura ndaj qytetarëve. Këto veprime do të mbeten ekskluzivisht në kompetencën e policisë.

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha