TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka nderuar figurën e Isa Boletinit me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin e tij në lëvizjen kombëtare dhe në organizimin e forcave të para mbrojtëse të shtetit shqiptar.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Nufi e përshkruan Boletinin si simbol të qëndresës kombëtare, luftëtar të lirisë dhe mbështetës të Ismail Qemalit.
Roli i tij në vitin 1912
Nufi thekson se gjatë rrugëtimit historik të vitit 1912, Isa Boletini përfaqësonte Kosovën dhe aspiratën për liri të shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre në Ballkan.
Kontributi pas Shpalljes së Pavarësisë
Sipas Nufit, kontributi i tij vazhdoi edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, përmes organizimit të forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Vlorës dhe rolit në krijimin e Gardës së Parë Kombëtare.
“Nëse Ismail Qemali mishëron vizionin politik dhe urtësinë diplomatike të themelimit të shtetit shqiptar, Isa Boletini mishëron forcën, guximin dhe sakrificën e atyre që luftuan për ta bërë të mundur atë”, thuhet në mesazh.
Ministri i Mbrojtjes thekson se Isa Boletini mbetet një nga figurat themelore të historisë ushtarake shqiptare, duke përfaqësuar vlerat e nderit, besës, trimërisë dhe përkushtimit ndaj atdheut.
“Sepse Pavarësia u shpall në Vlorë, por për të ishte luftuar në mbarë trojet shqiptare. Lavdi atyre që luftuan për lirinë e kombit! Gëzuar 28 Nëntorin!”, përfundon mesazhi.
/gj.m/r.e/
Burimi: ata.gov.al










