Pak ditë më parë, në raportin e progresit të Komisionit Evropian theksohej se fondet e IPARD vijojnë të jenë të bllokuara, pasi ende nuk janë përmbushur të gjitha kriteret për mbrojtjen e fondeve nga keqmenaxhimi.
Qeveria: detyrat janë përmbushur
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, tha në një intervistë për emisionin “Portofol”, me gazetaren Eliza Gjediku në Report Tv, se qeveria i ka plotësuar të gjitha detyrat e lëna nga BE-ja. Sipas tij, tani janë në pritje të një përgjigjeje nga Unioni.
Ai tha gjithashtu se bujqësia shqiptare do të përfitojë 148 milionë euro, së bashku me fondet që do të vihen në dispozicion nga qeveria.
“IPARD është shumë i domosdoshëm për Shqipërinë, e ka bërë sektorin të ecë me një ritëm tjetër. Ne e kemi bërë të gjithë dokumentacionin e kërkuar, i kemi plotësuar të gjitha detyrat që na janë lënë. Është përmbushur e gjithë dosja e plotë dhe jemi në pritje të përgjigjes së tyre, në mënyrë që ne të jemi transparentë por edhe të gatshëm për ta zbatuar. Janë 148 milionë euro së bashku me fondet që vihen në dispozicion nga qeveria”, tha mes të tjerash ministri Salla.
Bllokimi i IPARD III
IPARD III është bllokuar që nga gushti i 2023-shit për shkak të dyshimeve për abuzim me fondet e IPARD II, çështje që po hetohet edhe nga drejtësia shqiptare.
Burimi: shqiptarja.com










