Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Mbledhja e grupit të PS, Balla: Të hapur për dialog, studentët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre

Mbledhja e grupit të PS, Balla: Të hapur për dialog, studentët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot. Pasi përfundoi mbledhja, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjatë një deklarate për gazetarët, u ndal te protesta dhe theksoi se “studentët duhet të dëgjohen”.

Balla bëri me dije se “kryeministri ka ofruar tryezën, ose le ta quajmë sheshin e dialogut, ku mendoj se është momenti i duhur për t’u ulur me studentët”.

“Studentët, siç e thashë, meritojnë të dëgjohen. Koha për të pasur paketën 2.0 për universitetin është tani”, u shpreh ai.

Balla tha se të enjten do të votohet në Kuvend edhe një marrëveshje me Republikën Federale të Gjermanisë dhe KFW-në, pikërisht për të investuar më shumë në konvikte.

“Të mos harrojmë që gjithë këto dëme që janë shkaktuar deri më sot në bulevarde apo në biznese, shkojnë përtej një investimi që do të duhej për të ndërtuar korpusin e ri të universitetit”, tha ai, duke iu referuar akteve të dhunës gjatë protestave.

Balla shtoi se në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është diskutuar që puna e Kuvendit të vijojë menjëherë, për shkak të axhendës që lidhet me negociatat dhe me rolin e Kuvendit si ligjvënës gjatë këtij procesi.

“Një javë e humbur nga java e kaluar, le ta themi, na kushton shumë me kalendarin që kemi. Pra, të enjten, mos gaboj, janë tre ose katër ligje që kanë kaluar nga seanca e kaluar në këtë seancë dhe është afati i fundit; fundi i këtij muaji është afati i fundit që këto ligje duhet të kalohen, kanë marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian, pra janë plotësisht në përputhje me detyrimet që ka Shqipëria gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe që lidhen me ato parakushtet që kemi pasur”, tha ai.

Ai bëri thirrje për dialog.

“Thirrja ime për të gjithë është së pari për dialog; janë vendosur karriget, gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, siç është kryeministri, bashkë me ministren e Arsimit apo ministra të tjerë. Duhet të ulemi”, tha ai.

Balla shtoi se grupi parlamentar i Partisë Socialiste dënon aktet e dhunës.

/m.q/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha