Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka folur për krizën e përfaqësimit politik në Shqipëri, pengesat që sistemi zgjedhor u krijon lëvizjeve të reja dhe kandidatëve të pavarur, si dhe protestat e të rinjve kundër qeverisjes.
Në një intervistë për televizionin polak TVP World, në emisionin World Talks, Koçeku theksoi se korrupsioni në Shqipëri është shumë më i thellë sesa duket në pamje të parë. Ajo e cilësoi si rrënjën e mosfunksionimit të institucioneve, të ligjeve klienteliste dhe të përqendrimit të pushtetit në pak duar.
Reforma zgjedhore
Sipas saj, reforma e Kodit Zgjedhor është një nga hapat themelorë për ndryshimin e sistemit. Cilësia e përfaqësimit në Kuvend përcakton edhe cilësinë e ligjeve, ndryshimeve kushtetuese dhe drejtimit të institucioneve kryesore të vendit.
Vendimi për të qëndruar i pavarur
Deputetja foli gjithashtu për vendimin e saj për t’u larguar nga mazhoranca qeverisëse dhe për të vazhduar mandatin si e pavarur. Ajo e lidhi këtë vendim me përgjegjësinë për të përfaqësuar qytetarët dhe jo interesat e pushtetit.
Protestat e të rinjve
Në fokus të intervistës ishin edhe protestat studentore dhe qytetare, kërkesat e të rinjve për demokraci, dinjitet dhe llogaridhënie, si dhe nevoja që pakënaqësia shoqërore të gjejë përfaqësim real politik dhe institucional.
Mesazhi kryesor i Koçekut ishte se ndryshimi demokratik në Shqipëri kërkon jo vetëm ndryshimin e qeverisë, por edhe reformimin e mënyrës se si prodhohet dhe ushtrohet pushteti.
Burimi: lajmifundit.al










