Tetë vite më parë konkurronte për kurorën e më të bukurës së Shqipërisë, ndërsa sot Lulzime Faria doli përpara kamerave për të prezantuar një nismë politike. E reja, që foli në emër të një grupi studentësh, njoftoi këtë të enjte krijimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”, dy ditë përpara protestës kombëtare.
Karriera e saj para politikës
Emri i Lulzime Farias figuron në kronikat rozë të qershorit të vitit 2018, kur në pedonalen e Tiranës u zhvillua edicioni i 20-të i spektaklit “Miss Shqipëria”. Faria konkurronte me numrin 21, mes 31 vajzave nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe diasporës. Ndonëse nuk arriti të fitonte kurorën, ajo u vlerësua me çmimin “Miss Miqësia”.
Nëpër studio televizive ajo rëndom e ka përshkruar veten si një modele shumë të bukur dhe pa komplekse, ndonëse ka folur gjatë për bullizmin dhe për planet e saj për të vazhduar modelingun jashtë shtetit.
Partia e re dhe pyetjet e pambuluara
Nuk dihet çfarë ka ndodhur me këto plane. E reja, që prezantoi projektin politik pas 180 ditësh protestash, nuk sqaroi se çfarë roli do të ketë personalisht në strukturat drejtuese të partisë, as nëse grupi që ajo përfaqëson ka mandatin e protestuesve të sheshit. Kur gazetarët i bënë pikërisht këtë pyetje, ajo u largua pa dhënë përgjigje.
Burimi: lajmifundit.al










