Bashkimi Evropian ka publikuar pamje nga takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shihet aty duke biseduar me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Reagimet pas koncertit në Bruksel
Takimi mes tyre vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit janë tensionuar pas reagimeve që u shkaktuan nga interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, më 15 nëntor.
Kënga, e cila përmban pretendime nacionaliste serbe mbi Kosovën, u interpretua nga grupi slloven “Marko Hatlak & Kapobanda”.
Qëndrimi i institucioneve të Kosovës dhe i Komisionit
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës e cilësuan incidentin si skandaloz dhe të papranueshëm, ndërsa ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, kërkoi sqarime nga Komisioni Evropian.
Vetë Marta Kos shprehu keqardhje për interpretimin e këngës, duke theksuar se ajo nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian dhe as qëndrimin e saj ndaj Kosovës.
Ajo konfirmoi gjithashtu se kishte kontaktuar Kurtin për t’i shprehur keqardhjen për atë që kishte ndodhur, duke thënë se një situatë e tillë nuk është dashur të ndodhte.
Burimi: www.gazetaexpress.com










