Erjon Vishkulli, 28 vjeç, i cili mbeti i plagosur pasi u goditi me plumb gome në sy nga policia gjatë protestës studentore të 24 tetorit, u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës.
I riu hyri në organin e akuzës në shoqëri të avokatit Dorian Matlija, pasi kishte marrë një fletë-thirrje nga prokurori i çështjes, Ndini Tavani.
Rrethanat e plagosjes
Vishkulli po pyetet për rrethanat e dëmtimit pranë sheshit Skënderbej, afër godinës së Bankës së Shqipërisë, si dhe për ngjarjet pas plagosjes, përfshirë trajtimin në Spitalin e Traumës dhe dërgimin e tij në Itali.
Pas dëmtimit të rëndë në sy, Vishkulli u zhvendos në Itali, ku iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Ai u kthye në Shqipëri, por pritet të rikthehet sërish në Itali për të vazhduar trajtimin mjekësor dhe për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve të tjera.
Hetimi i Prokurorisë
Organi i akuzës po heton jo vetëm rrethanat e plagosjes së Vishkullit, por edhe kallëzimet e tjera të depozituara nga protestuesit, të cilët pretendojnë se u dëmtuan nga përdorimi i forcës dhe i armëve me plumba gome nga policia.
Në kuadër të hetimeve janë administruar pamje nga kamerat e sigurisë në kryeqytet. Për rastin e Vishkullit janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të Bankës së Shqipërisë, ndërsa është administruar edhe kartela e tij mjekësore në Spitalin e Traumës.
Gjithashtu, Prokuroria i dërgoi një letërporosi autoriteteve italiane të drejtësisë, duke kërkuar dokumentacionin mjekësor të spitalit ku Vishkulli mori trajtim.
Burimi: www.gazetaexpress.com










