Në një periudhë kur Tirana është duke u përballur me protesta të pandërprera nga studentët, të rinjtë dhe qytetarët kundër qeverisë, një fjalim i mbajtur disa vite më parë nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në Kuvendin e Shqipërisë, po rikthehet në qendër të vëmendjes për shkak të aktualitetit të mesazheve të tij.
Në fjalën e tij, Bushati shprehte shqetësimin për drejtimin që kishte marrë vendi, zhgënjimin e qytetarëve dhe përgjegjësinë e klasës politike për të ardhmen e Shqipërisë. Ai shtronte pyetjen pse shqiptarët nuk arrinin të gjenin një gjuhë të përbashkët për të ecur përpara, ndërkohë që vendet fqinje po kapërcenin mosmarrëveshjet historike.
Ish-ministri ndalej në mënyrë të veçantë te brezat e rinj, duke kritikuar përdorimin e vazhdueshëm të së kaluarës komuniste si justifikim për problemet e vendit. Ai theksonte se pas tri dekadash, politika shqiptare nuk mund të vazhdonte t’ia faturoste të shkuarës dështimet e saj.
“Ne jemi në një udhëkryq të madh. Lexova Financial Times, hapet me foton selfie të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Greqisë. Si ka mundësi, pse kur grekët e maqedonasit e gjejnë gjuhën të ecin para, ne si shqiptarë nuk e gjejmë? Pse nuk gjejmë dot gjuhën të ecim para?”, shprehej Bushati nga foltorja e Kuvendit.
Ai ngrinte gjithashtu shqetësimin për përqendrimin e pasurisë në duart e një numri të vogël njerëzish, largimin e shqiptarëve nga vendi dhe zhgënjimin e atyre që kishin kontribuar ndër vite për Shqipërinë.
“Po 30-vjeçarët, të cilët nuk e dinë se çfarë është komunizmi, do vijojmë t’u themi se është faji i Enverit? 30 vite nuk e justifikojmë dot votën dhe besimin që na kanë dhënë shqiptarët. Është momenti i fundit të shohim nga e ardhmja e të mos bëhemi nostalgjikë të së shkuarës”, deklaronte ai.
Fjalimi i Bushatit merr një domethënie të veçantë në kontekstin e protestave të sotme në Tiranë, ku studentët dhe të rinjtë kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë kthyer në një nga kërkesat kryesore të tubimeve.
Mesazhi i dhënë vite më parë nga ish-ministri socialist, për përgjegjësinë e politikës ndaj brezave të rinj dhe nevojën për të parë drejt së ardhmes, rikthehet kështu në qendër të vëmendjes në një moment tensionesh të forta politike dhe shoqërore në vend.
Burimi: www.balkanweb.com










