Ish ministri i Jashtëm gjatë qeverisjes socialiste, Ditmir Bushati, ka pasur një reagim të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama, në lidhje me përpjekjet e këtij të fundit për të ndalur protestat e të rinjve dhe zërin e tyre kundër qeverisjes së tij.
Nëpërmjet një videomesazhi në rrjetet sociale, Bushati ka shprehur hapur qëndrimin e tij në mbështetje të protestuesve, të cilët sipas tij kërkojnë një jetë me dinjitet në atdheun e tyre.
Pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit, Bushati thekson se Rama nuk do të arrijë ta përçajë rininë, ndërsa i takon PS-së, shton ai, që të ngrihet në lartësinë që e kërkon koha.
Reagimi:
Si prind jam me të rinjtë që kërkojnë një jetë me dinjitet në atdheun e tyre.
Si njeri i botës universitare mbështes plotësisht kërkesat e studentëve. E ardhmja do të përcaktohet nga aspirata, revolta dhe energjia e një brezi që nuk pranon të pajtohet me atë çka u ofrohet si normalitet.
Si qytetar jam kundër akteve të dhunës dhe kundër brutalitetit të policisë.
Kur Shqipëria është gjendur përpara një kthese të madhe, të rinjtë kanë ditur t’i paraprijnë ndryshimit. E bënë këtë në vitin 1990. U përpoqën në vitin 1996. Por kërkesat e tyre u shpërfillën, çka paralajmëroi tmerrin e vitit 1997.
Prej muajsh rinia shqiptare është rikthyer në sheshe duke shpalosur një pasion që rreh veç në gjokset e këtij brezi. Nuk është gjithmonë i shprehur qartë, e rrallëherë është i disiplinuar.
Rinia kërkon një Shqipëri të re, sepse refuzon normalizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike; personalizimin e tejskajshëm të pushtetit që e trajton atdheun si plaçkë; modelin e kapitalizmit grabitqar që prodhon kosto të papërballueshme jetese, braktisje të vendit dhe polarizim shoqëror.
Injorimi i kërkesave të të rinjve dhe strategjia e përçarjes mes flamingove dhe sorrave dështoi. Nuk do të funksionojë përpjekja për t’i ndarë të rinjtë në të mirë e të këqinj. As gjuha kërcënuese ndaj tyre, prindërve dhe medias. Shkopat e gomës, gazi lotsjellës, uji i hedhur me presion, apo motivimi financiar i policëve nuk e shuajnë dot revoltën e një brezi që di për shumë skandale dhe jeton mes vështirësive të panumërta. Aq më pak kërkimi i fajtorëve te ‘forcat e huaja’ në një shoqëri europiane, thellësisht pro-amerikane.
Të rinjtë kërkojnë një Shqipëri të re. Tani është detyrë e mësuesve, prindërve, sipërmarrësve, punëtorëve, akademikëve dhe, para së gjithash, e Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që e kërkon koha. Partia Socialiste duhet të dallojë atë që i përket një momenti politik nga ajo që i detyrohet Shqipërisë.
Burimi: gazetashqiptare.al










