Këshilli i Ministrave ka miratuar disa projektligje dhe vendime në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte. Në fokus të vendimmarrjes kanë qenë eficienca energjetike, siguria kibernetike, ndihma shtetërore, dhuna ndaj grave dhe ndryshimet e mundshme në ndarjen administrativo-territoriale të vendit.
Lirimi i zëvendësministrit
Mes vendimeve të miratuara është edhe lirimi nga detyra i Endrit Hoxhës, i cili mbante postin e zëvendësministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Hoxha ka mbajtur më herët edhe detyrën e zëvendësministrit të Arsimit, përpara se të kalonte në postin e fundit, të cilin e mbajti deri në vendimin e sotëm të qeverisë.
Projektligjet e miratuara
Sa i përket projektligjeve, Këshilli i Ministrave ka miratuar nismën për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për ndihmën shtetërore, si dhe projektligjin për eficiencën energjetike. Ky i fundit synon krijimin e një kuadri të përgjithshëm masash për promovimin dhe përmirësimin e eficiencës së energjisë në Shqipëri. Një tjetër nismë e miratuar lidhet me ndryshimet dhe shtesat në ligjin për sigurinë kibernetike.
Vendimet për integrimin evropian dhe dhunën ndaj grave
Në mbledhjen e sotme janë miratuar gjithashtu ndryshime në vendimin që përcakton përbërjen, funksionimin dhe trajtimin financiar të grupit negociator për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria ka miratuar edhe vendimin për përbërjen, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të mekanizmit të koordinuar për referimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Ndarja administrative dhe zonat e mbrojtura
Në rendin e vendimmarrjes kanë qenë edhe dy çështje të lidhura me ndarjen administrativo-territoriale dhe zonat e mbrojtura. Për këto, Këshilli i Ministrave ka miratuar dhënien e mendimit Kuvendit për projektligjin joqeveritar mbi ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, si dhe për nismat që synojnë shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.
Vendimet dhe projektligjet janë bërë publike nga Agjencia për Media dhe Informim pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.
Njoftimi zyrtar
Agjencia për Media dhe Informim njofton projektligjet dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e qeverisë të datës 12.11.2026.
Projektligjet e miratuara:
- Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar.
- Për eficiencën energjetike. Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë një kuadër të përgjithshëm masash për promovimin dhe përmirësimin e eficiencës energjetike në Republikën e Shqipërisë.
- Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2024, “Për sigurinë kibernetike”.
Vendimet e miratuara:
- Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar.
- Për përbërjen, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
- Për dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin j(o)qeveritar “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
- Për dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dy projektligjet joqeveritare “Për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017, “Për zonat e mbrojtura””.
- Miratimi i lirimit nga detyra i z. Endrit Hoxha si zëvendësministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Burimi: top-channel.tv










