Kryeministri Edi Rama i beson Esmeralda Hasanit drejtimin e inteligjencës shqiptare, ndërsa presidenti Bajram Begaj paraditen e kësaj të enjteje hodhi firmën duke e dekretuar.
Ndryshe nga emërimet e shkuara të drejtorëve të SHISH ardhur nga jashtë këtij dikasteri, zonja Hasani vjen nga brenda shërbimit, pas dy vitesh nga nisja punë në këtë institucion si drejtoreshë e një departamenti.
Profili dhe karriera e saj
Një burim nga SHISH i tha gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se që kur Esmeralda Hasani u bë pjesë e inteligjencës shqiptare ajo ka mbajtur një profil të ulët, duke e përshkruar si “shumë serioze dhe fjalë pakët”.
Esmeralda Hasani ka studiuar drejtësi dhe të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Milanos-Bicocca. Pjesë e CV-së së saj janë edhe studimet për planifikimin dhe menaxhimin e projekteve evropiane në Europa Cube Innovation Business School, në Bruksel. Më parë ka qenë sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Diasporës, e drejtuar atëherë nga Pandeli Majko.
Sipas të dhënave nga burime të hapura online, pesë vite më parë ajo ka mbajtur edhe funksionin e konsulentes pranë Kryeministrisë, me fokus planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve.
Sfidat që e presin
Drejtoresha e re e SHISH merr timonin e drejtimit të këtij institucioni në një kohë kur inteligjenca shqiptare është përfshirë në një turbulencë të pa precedentë, pasi paraardhësja e saj Vlora Hyseni po përballet me akuzat e SPAK për “nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit”.
Përballë kësaj situate, sfidat e Esmeralda Hasanit janë të shumëfishta. Ato nisin nga qetësimi i situatës së brendshme në SHISH dhe rivendosja e marrëdhënieve të shëndosha të besimit me SPAK, duke bashkëpunuar në hetime për të zbuluar nëse Vlora Hyseni, e akuzuar për veprime të dyshuara kriminale, i ka ndërmarrë ato duke bashkëpunuar me drejtorë të caktuar brenda SHISH në dëm të interesit të sigurisë kombëtare.
Me interes pritet të shihet nëse Esmeralda Hasani do të mund të realizojë atë që paraardhësit e saj nuk e kanë arritur: largimin e SHISH nga ndikimi politik dhe nga përdorimi për qëllime politike.
Burimi: tirananews.al









