Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Çepani: Në PS mungojnë njerëzit që të thonë se po gabon

Çepani: Në PS mungojnë njerëzit që të thonë se po gabon
Foto: euronews.al

Aktivistja Edlira Çepani u ftua këtë të diele në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania, ku analizoi debatet dhe pakënaqësitë e fundit brenda Partisë Socialiste. Ajo u ndal te problemi më i gjerë i mungesës së demokracisë së brendshme në partitë politike shqiptare.

Partitë në pushtet dhe dobësimi i strukturave

Sipas Çepanit, partitë në pushtet priren të dobësohen në struktura, sepse orientohen kryesisht drejt posteve. Ajo shtoi se reagimet e fundit brenda PS duhej të kishin ndodhur më herët, dhe jo vetëm kur individë preken personalisht.

“Kemi kohë që i biem këmbanave për mungesën e demokracisë së brendshme të partive të ndryshme politike. Kemi kohë që themi se brenda partive politike ka një situatë ku anëtarët dhe drejtuesit e tyre nuk flasin mjaftueshëm për ta bërë partinë të funksionojë si një organizëm të shëndetshëm, përtej gjithë problematikave që mund të lindin në një grupim që është ose nuk është në pushtet.

Sidomos kur është në pushtet, partitë politike në përgjithësi dobësohen si struktura, sepse janë të orientuara nga pushteti. Forcohen nga njëra anë, por dobësohen nga ana tjetër te demokracia e brendshme, sepse duke qenë të gjithë në pozicione, në pushtete e në vende të ndryshme, kanë edhe problematikat e tyre.

Situata brenda Partisë Socialiste

Për pjesën e Partisë Socialiste, ne e kemi thënë gjithmonë se është një parti ku në vitet e fundit nuk kanë pasur zëra ndryshe. Në një farë mënyre është lajm i mirë që tani ka disa zëra ndryshe, por ato nuk po vijnë në kohën e duhur.

Do kishim dashur ne që e studiojmë politikën, por edhe njerëzit që i vuajnë në kurriz politikat e partive kur ato përkthehen në politika qeverisëse, që këto të ndodhnin më herët. Do kisha dashur gjithashtu që e njëjta gjë të ndodhë edhe në të gjitha partitë e tjera, sepse një parti e shëndetshme bën politika qeverisëse të shëndetshme.

Të analizohet fenomeni më gjerë

Ne kemi tendencën të merremi vetëm me rastin kur ndodh, dhe me individët kur flasin ose nuk flasin. Sipas Çepanit, duhet studiuar si një fenomen më i gjerë: në ç’pikë janë partitë politike në Shqipëri sot, a ofrojnë alternativë, a ofrojnë demokraci të brendshme, dhe a u japin mundësinë anëtarëve të tyre të kenë mendime të ndryshme dhe të drejtat e tyre brenda partisë.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kur personazhet që janë pjesë e kritikës preken personalisht, kjo nuk është kritikë në vetvete si shprehje e demokracisë së brendshme. Është një kritikë që vjen si luftë personale.

Kriza politike dhe protestat

Megjithatë, sipas mendimit të saj, çdo gjë që krijon diskutim dhe trajton problematika është pozitive, dhe është e mirë që të propozohen edhe zgjidhje. Nga ana tjetër, ekziston tendenca për të krijuar idenë se e gjithë kriza politike që po ndodh në Shqipëri vjen për shkak të problematikave mes individëve brenda partisë.

“Kjo nuk është një e vërtetë. Kjo nuk është një krizë, dhe nuk është një sulm politik brenda partisë që shprehet në protesta apo pakënaqësi të tjera që ndodhin sot në rrugë. Nuk ka lidhje fare”, tha ajo.

“Veliaj dhe Spiropali parti të re? Profesor Këlliçi analizon përplasjet politike

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha