Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Balla takon blegtorët: Lehtësohen lejet për stallat dhe rritet mbështetja për fermerët

Balla takon blegtorët: Lehtësohen lejet për stallat dhe rritet mbështetja për fermerët
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilluan një bashkëbisedim me blegtorë dhe prodhues të qumështit, ku në fokus ishte mbështetja financiare për sektorin, lehtësimi i procedurave dhe rritja e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas.

Mbështetja financiare dhe procedurat për blegtorët

Gjatë takimit u diskutua mbi mbështetjen prej 120 mijë lekësh për krerë, të parashikuar nga Buxheti, si dhe nevojat e tjera të fermerëve për zhvillimin e aktivitetit të tyre.

Balla u ndal veçanërisht te nevoja për thjeshtimin e procedurave për pajisjen me leje ndërtimi të stallave, duke kërkuar që procesi të jetë më i lehtë dhe më pak burokratik, pa cenuar standardet dhe kriteret e përcaktuara.

“Procesi i pajisjes me leje ndërtimi për një stallë duhet të jetë të paktën më i lehtë se procesi i pajisjes me leje ndërtimi për një vilë. Shqipëria në vitin 2030 do të jetë në Bashkimin Europian dhe, për t’i paraprirë konkurrencës së madhe, duhet të fillojmë që tani të përgatitemi, duke rritur standardet”, u shpreh Balla.

Lehtësitë fiskale dhe masat mbështetëse

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimit ishin lehtësitë fiskale dhe masat mbështetëse për fermerët. Balla përmendi uljen e çmimit të naftës me 320 lekë nga 1 janari, si dhe uljen e TVSH-së për produktet ushqimore, përfshirë qumështin, nga 20% në 6%.

“Vetëm nga ulja e TVSH-së së ushqimeve, që është për qumështin, nga 20% shkon në 6%. Gjithë totali që qeveria nuk do të mbledhë më është 150 milionë euro”, theksoi Balla.

Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë

Ministri Salla u shpreh se “18 miliardë lekë të buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë që është 10% më shumë se viti 2026 është një mundësi që fermerët këtë vit do të kenë pagesa direkte për sektorin tuaj, që është blegtoria, për sektorin e sigurisë, që ne do të ndërtojmë laboratorët për të gjithë Shqipërinë”.

“Patjetër që fushat e tjera do të mbështeten, pa dashur të anashkalojmë një nga fushat që lidhet me buxhetin e bujqësisë që janë të shumtë, siç është bletaria, akuakultura, peshkimi, pjesa e mbështetjes së sektorit të agroturizmit”, tha Salla.

Bashkëbisedimi shërbeu si një mundësi për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe kërkesat e blegtorëve, me synimin për të forcuar mbështetjen për prodhimin vendas dhe për të përgatitur sektorin e blegtorisë për standardet dhe konkurrencën e tregut europian.

/k.s/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha