Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Komedia Gomerët e Trojeve fiton çmimin e parë në Tano Fest

Komedia Gomerët e Trojeve fiton çmimin e parë në Tano Fest
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Festivali “TANO FEST” përfundoi të shtunën në mbrëmje, duke e shndërruar Shkodrën për një javë të tërë në qendrën e humorit shqiptar.

Një mbrëmje me yje të skenës

Mbrëmja finale u zhvillua në Teatrin “Migjeni”, me disa nga emrat më të njohur të humorit shqiptar. “Tano Fest” mbylli tetë ditë me të qeshura dhe duartrokitje, me një publik shkodran që e vlerësoi çdo shfaqje.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, e cilësoi festivalin si një mbrëmje yjesh. Ai u shpreh krenar për Shkodrën dhe për trupën e Teatrit “Migjeni”, e cila fitoi çmimin për shfaqjen më të mirë me “Gomerët e Trojeve”.

“Urime artistëve dhe organizatorëve! Faleminderit publikut që i dha jetë çdo nate dhe i nderoi yjet e skenës mbarëshqiptare me ngrohtësinë që di të japë Shkodra”, tha Beci.

Një festival në nder të Tano Banushit

Festivali u pagëzua në nder të ikonës së humorit shqiptar, Tano Banushi, në prag të 100-vjetorit të lindjes së tij. Gjatë tetë netëve u shfaqën tetë shfaqje të ndryshme, plot humor, energji dhe të qeshura.

Edicioni i këtij viti u zhvillua me përmasa më të mëdha, duke sjellë në Shkodër një festë të vërtetë të artit dhe humorit shqiptar.

Fituesit e çmimeve

Në natën e fundit u shpallën edhe çmimet:

Artisti i ri më i mirë i “Tano Fest”: Fritz Aleks Selmani;

Artisti më i mirë: aktori Gentian Zenelaj;

Aktorja më e mirë: Luiza Xhuvani;

Regjia më e mirë: regjisori nga Kosova, Ilr Bokshi;

Çmimi i karrierës: aktori shkodran Besnik Çinari;

Çmimi i parë për komedinë më të mirë: trupa e Teatrit “Migjeni” me “Gomerët e Trojeve”.

Festivali Mbarëkombëtar i Humorit “TANO FEST” u mbajt nga 14 deri më 21 nëntor, në skenën e Teatrit “Migjeni”.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha