Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

Shfaqja e Cirkut merr vlerësim në Festivalin Ndërkombëtar të Artit të Kukullave në Mostar

Shfaqja e Cirkut merr vlerësim në Festivalin Ndërkombëtar të Artit të Kukullave në Mostar

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Teatri Kombëtar i Kukullave e përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Artit të Kukullave – FLUM, që u zhvillua në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë aktivitet, shfaqja “Shfaqja e Cirkut”, me regji të Klajd Ymerit, fitoi çmimin për artikulimin më të mirë të kukullës.

Ky vlerësim erdhi si pasojë e veçantisë artistike të shfaqjes, e cila është ndërtuar plotësisht pa dialogje dhe vendos në qendër të interpretimit plastikën, lëvizjen dhe artikulimin e kukullës. Nëpërmjet gjesteve, lëvizjeve dhe shprehjes skenike, artistët arrijnë të përcjellin emocionet dhe të komunikojnë me publikun, duke dëshmuar potencialin shprehës të teatrit të kukullave përtej fjalës.

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kukullave, Melsi Qirici, u shpreh se “Shfaqja e Cirkut” është një nga premierat e këtij viti, e cila po vijon rrugëtimin e saj në festivale ndërkombëtare.

Qirici shprehu krenarinë për artistët dhe për çdo duartrokitje që ata morën duke përfaqësuar Shqipërinë.

Pjesëmarrja në FLUM përbën një tjetër mundësi për afirmimin e artit shqiptar të kukullave në skenën ndërkombëtare.

Teatri i Kukullave vijon kështu angazhimin për të sjellë produksione të reja. Së shpejti pritet që spektatorët e vegjël të shohin në këtë teatër shfaqjen “Mbretin luan”, një projekt i pazakontë, me kukulla anatomike të disa teknikave, të cilat do të vijnë për fëmijët në një sallë që do të transformohet në safari nga projeksionet imersive dhe produksioni më i madh i realizuar ndonjëherë, me 11 aktorë në skenë. /j.p/

1 nga 4


Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha