Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

Protestat dhe dhuna në Tiranë ndalojnë jetën kulturore e sportive, teatrot anulojnë shfaqjet dhe shtyhet maratona

Protestat dhe dhuna në Tiranë ndalojnë jetën kulturore e sportive, teatrot anulojnë shfaqjet dhe shtyhet maratona

Protestat e dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin prej një jave kanë ndikuar edhe në jetën kulturore dhe sportive të vendit, duke sjellë shpesh anulim shfaqjesh apo zhvendosje të datave të tyre. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bën me dije se shfaqjet e planifikuara gjatë kësaj jave do të shtyhen për një moment të dytë.

Fundjavën e kaluar, në TKOB, megjithëse me një numër të vogël spektatorësh u ngjit në skenë shfaqja “Kryengritje” (“Soulèvement”) nga Angelin Preljocaj nën interpretimin e Ballet Preljocaj, si pjesë e “International Dance Festival of Tirana”.

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental u anulua shfaqja “1984” nga G. Orwell. Ndërkohë, Teatri Kombëtar njofton se mbrëmjen e së mërkurës pritet të vijë për publikun shfaqja “Diaspora” me autor Fabio Pisano dhe regji nga Caterina Filograno, në një bashkëpunim me teatrin e Barit.

Ndërsa në teatrin “Metropol”, prej pesë ditësh është njoftuar që shfaqja e planifikuar të jepej në datat 15 dhe 16 tetor, “Sikur të isha djalë” është shtyrë për shkak të situatës dhe datat e reja të vënies së saj në skenë do të bëhen publike në një moment të dytë.

Në Teatrin e Kukullave, fundjavën që sapo kaloi nuk pati shfaqje pasi vetëm disa ditë më parë gjatë protestave u thye dhe dëmtua godina, ndaj dhe u vendos që shfaqjet të anuloheshin për shkak të sigurisë së fëmijëve.

Të gjitha biletat e blera për “Aventurat e Winnie Pooh” mbeten të vlefshme për të njëjtën shfaqje në javët në vijim, por nuk përcaktohet se kur teatri do të ngrejë sërish perden.

Koncerte dhe promovime të librave nga autorë të ndryshëm janë prekur gjithashtu nga protestat. Edhe disa ndeshje sportive janë anuluar, shtyrë apo zhvendosur për t’u mbajtur në një vend tjetër.

Këtë fundjavë, konkretisht më 24 dhe 25 tetor, ishte planifikuar edhe Maratona e Tiranës, por organizatorët e kanë shtyrë për data të mëvonshme. Sipas njoftimit zyrtar, edicioni i 10 i Maratonës së Tiranës do të zhvillohet me 14 dhe 15 nëntor, ndërsa pjesëmarrësit nuk do të preken nga këto ndryshime, pasi nuk duhen regjistrime të reja.

Më 15 tetor, për shkak të protestave kundër qeverisë, ndeshja historike e Egnatias në “Conference League” kundër Midtjyland, e parashikuar në “Air Albania” të Tiranës, u zhvendos në “Elbasan Arena”.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha