Miratimi i modifikimeve në legjislacionin për Gjykatën Speciale nuk ka zgjidhur të gjitha çështjet. Ky akt i ri ligjor ndodhet në duart e presidentes Justina Shiroka-Pula, e cila duhet të marrë një vendim: ta nënshkruajë me dekret apo ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim. Sipas disa ekspertëve të normave juridike, ligji përmban disa mangësi. PDK pritet të japë deklaratë sot.
Gazeta Express
Pas një nate me tensione dhe protesta para Kuvendit, në mbrëmjen e 6 tetorit deputetët miratuan disa ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Me këtë rast, u evitova edhe zgjatja e krizës pothuajse dyvjeçare, pasi zgjedhja e presidentes së re, Justina Shiroka-Pula në mesnatën mes 6 dhe 7 tetorit e shpëtoi vendin nga zgjedhjet e reja, që do të ishin të katërtat në dy vjet.
Zgjedhja e Presidentes dhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit ta miratonte përfundimisht atë projektligj që parashikon ndryshime në ligjin për atë që njihet si Gjykata Speciale, ishin dy procese, fati i të cilave pashmangshëm do të varej nga njëri-tjetri në fund të asaj dite.
Presidentes së re, Kuvendi ia dërgoi më 15 tetor për dekretim ligjin e ri për Specialen, i cili u miratua me 88 votat e deputetëve.
Partia Demokratike e Kosovës e kishte iniciuar ndryshimin e ligjit për Specialen mes protestave të përnatshme në sheshin kryesor të Prishtinës që prej 16 shtatorit, kur Gjykata Speciale i shpalli fajtorë katër ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan në shkallë të parë për krime lufte me nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Gazeta Express merr vesh se PDK-ja tani i ka kërkuar Presidentes të mos e dekretojë ligjin, por ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim nga deputetët.
Sipas një burimi me njohuri për këto zhvillime, Shiroka-Pula i ka kërkuar partisë më të madhe opozitare që të bëjë kërkesë zyrtare për mosdekretimin e këtij ligji. Në të kundërtën, sipas këtij burimi, nëse një kërkesë e tillë nuk dërgohet në Presidencë deri të enjten, ajo do ta dekretojë ligjin.
PDK sot do të mbajë një konferencë për media. Ligji pritet të jetë një nga temat.
Sipas disa njohësve të normave juridike, ky ligj ka disa të meta.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha mbrëmë se është evidente që ligji “ka probleme të cilat kanë nevojë për adresim”.
“Vendim i drejtë nga Presidentja nëse ligjin ia kthen Kuvendit”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Miftaraj tha se Qeveria duhet të vihet në kontakt me Bashkimin Europian për t’u konsultuar për këtë ligj.
BE-ja tha se e mbështet punën e Speciales dhe se mandati dhe pavarësia e kësaj gjykate dhe Prokurorisë së Specializuar në Hagë “duhet të respektohen plotësisht”.
Kosovës iu kërkua që “t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe angazhimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”.
PDK-ja, ndërkaq, ka thënë se me këto ndryshime në ligj, Kosova “nuk po shkel asnjë nga detyrimet” në raport me BE-në dhe i kanë kërkuar Brukselit të shqetësohet për “drejtësinë e procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, jo për ligjet që i miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit”.
Projektligji i propozuar nga PDK-ja kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.
Ai parasheh, ndër të tjera, edhe ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.
Ky propozim kërkon edhe ndryshime lidhur me juridiksionin territorial, duke e kufizuar në veprat që mund të jenë kryer brenda territorit të Kosovës.
Ndryshimet parashohin edhe procedura të përshpejtuara për verifikimin e juridiksionit dhe kërkohet që palët të mund të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë, ndër të tjera.
Burimi: www.gazetaexpress.com










