Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri sot thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke e cilësuar këtë si garancinë më të mirë të sigurisë për vendin e tij pas përfundimit të luftës. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se jo të gjitha vendet anëtare të Aleancës janë dakord me anëtarësimin e Kievit.
Thirrja e Zelenskyt për garanci sigurie
Në një kohë kur garancitë e sigurisë për Ukrainën janë në qendër të diskutimeve mes partnerëve që po përpiqen të krijojnë kushtet për një marrëveshje mes Kievit dhe Moskës, për t’i dhënë fund luftës dhe për të garantuar sigurinë pas saj, Volodymyr Zelensky shfrytëzoi Asamblenë Parlamentare të NATO-s për t’u bërë thirrje vendeve perëndimore dhe anëtarëve të Aleancës që të pranojnë Ukrainën në NATO.
“Nëse tashmë tingëllon krejtësisht normale që një nga kushtet kryesore për një jetë paqësore pas kësaj lufte të jenë garancitë e forta të sigurisë për Ukrainën – ato që disa tani i quajnë garanci të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s – atëherë pse të mos themi hapur atë që mendojnë kaq shumë njerëz? A nuk do të ishte më efektive që thjesht ta anëtarësonim Ukrainën në NATO? A nuk do të ishte kjo më mirë për të gjithë ne?” tha Zelensky.
Përgjigja e Rutte dhe ndarjet brenda Aleancës
Por, me sa duket, ideja nuk i ka bindur të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të cilat prej kohësh diskutojnë mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dha shpjegimin e tij gjatë fjalës që mbajti në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, këtë të hënë në Berlin.
“Jo të gjithë partnerët e NATO-s janë dakord për anëtarësimin e Ukrainës. Por për atë se kush mund të bëhet anëtar i NATO-s, vendos vetëm vetë NATO-ja. Për këtë çështje, brenda Aleancës mbizotëron qartësi e plotë” tha Rutte.
Takimi i propozuar katërpalësh
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se një takim katërpalësh mes Ukrainës, Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë duhet të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas Zelenskyt, partnerët i kanë bërë të ditur se dëshirojnë që ky takim të zhvillohet përpara Krishtlindjeve, ndërsa Kievi shpreson që ai të mbahet edhe më herët.
Burimi: shqiptarja.com










