Sot, në Gjykatën Themelore në Pejë, mbahet shqyrtimi fillestar për Jeton Sylajn, i cili akuzohet se e kishte kanosur ish-bashkëshorten, Arlinda Zekajn. Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.
Seanca mbahet pa publik
Seanca do të zhvillohet pa praninë e publikut, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë. Prokuroria e ka mbështetur kërkesën me nevojën për të mbrojtur jetën private dhe familjare të personave të përfshirë, si dhe interesin më të mirë të fëmijës së mitur.
Kërkesës i janë bashkuar edhe mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtja e të akuzuarit.
Akuza dhe deklaratat e viktimës
Sipas akuzës, në dhjetor të vitit 2025, në Vitomiricë, Sylaj e kishte kërcënuar ish-bashkëshorten me vrasje dhe kërcënime të rënda.
Aktakuza thotë se, gjatë një bisede telefonike, ai i kishte thënë se do ta vriste dhe do ta nxirrte me forcë nga shtëpia, duke i shkaktuar frikë dhe ankth.
Në dosjen e akuzës janë përfshirë edhe deklaratat e Arlinda Zekajt. Ajo kishte raportuar se, gjatë martesës 11-vjeçare, ishte përballur me dhunë fizike dhe psikike nga i akuzuari.
Zekaj kishte deklaruar gjithashtu se ishte detyruar të merrte kredi prej rreth 9 mijë eurosh për nevojat e tij dhe se ndihej e rrezikuar nga ish-bashkëshorti.
Burimi: www.albeu.com









