Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Qeveria nderon figurat historike të Kongresit të Manastirit

Qeveria nderon figurat historike të Kongresit të Manastirit
Foto: pressonline.al

Qeveria e Republikës së Kosovës përkujtoi 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, duke nderuar atdhetarët dhe intelektualët që kontribuan në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Në një mesazh urimi, Qeveria veçoi kontributin e Mithat Frashërit, Gjergj Fishtës, Parashqevi Qiriazit, Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës dhe figurave të tjera që morën pjesë në këtë ngjarje historike.

Një ngjarje që tregoi fuqinë e bashkimit

Në mesazh theksohet se Kongresi i Manastirit dëshmoi fuqinë e organizimit dhe të dijes në shërbim të bashkimit kombëtar.

“Dallimet u kapërcyen në emër të një qëllimi të përbashkët: që shqiptarët të mësonin, të shkruanin dhe të ndërtonin të ardhmen në gjuhën e tyre”, thuhet në mesazhin e Qeverisë.

Detyrat e sotme

Qeveria theksoi gjithashtu rëndësinë e investimit në arsim cilësor, mbështetjes për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, si dhe ruajtjes së gjuhës shqipe në institucione dhe në mërgatë.

“Përgjegjësia jonë është ta vazhdojmë këtë punë me arsim publik cilësor, me mbështetje për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, me ngritje të mësimdhënies e mësimnxënies, me kujdes për shqipen në institucione dhe me mundësi të qëndrueshme për mësimin e saj në mërgatë. Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez. Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, thuhet tutje në mesazhin e Qeverisë së Kosovës.

Burimi: pressonline.al

Të fundit Të gjitha