Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Kadastra në Lezhë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për legalizimet

Kadastra në Lezhë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për legalizimet
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka publikuar listën e subjekteve që kanë kryer vetëdeklarime në vitet 2005–2006 në Bashkinë Lezhë, me të cilët nuk ka qenë e mundur të vendoset kontakt për shkak të mungesës së të dhënave të sakta të komunikimit.

Dosjet në proces dhe vështirësitë e kontaktit

Bëhet fjalë për 1818 dosje që vijojnë të jenë në proces dhe që Drejtoria Vendore ASHK Lezhë synon t’i përmbyllë. Mungesa e kontaktit me qytetarët vështirëson identifikimin e saktë të vendndodhjes së ndërtimeve informale.

Lista është publikuar në faqen zyrtare të Kadastrës (www.ashk.gov.al).

Në formularët e vetëdeklarimit, adresa e objektit është përcaktuar vetëm me emrin e zonës, pa të dhëna të mjaftueshme për lokalizimin e tij të saktë. Për këtë arsye, komunikimi paraprak me qytetarët është i domosdoshëm, si për identifikimin e objektit, ashtu edhe për koordinimin e datës së verifikimit në terren.

Duke qenë se objektet ndodhen në distanca të konsiderueshme nga njëri-tjetri, bashkëpunimi me vetëdeklaruesit ndihmon në organizimin më të mirë të punës dhe përshpejtimin e procesit të evidentimit.

Thirrja për qytetarët

ASHK u bën thirrje të gjithë qytetarëve që gjejnë emrin e tyre në listën e publikuar, të paraqiten pranë njësisë administrative përkatëse ose në zyrat e Drejtorisë Vendore të ASHK-së Lezhë, për të rivendosur kontaktin me institucionin dhe për të vijuar procedurat drejt përfundimit të legalizimit të ndërtimeve të tyre.

Ritmi i legalizimeve

Ndërkohë, procesi i legalizimeve në Bashkinë Lezhë ka vijuar me ritme të mira. Sipas të dhënave të ASHK-së, deri në muajin tetor të këtij viti janë emetuar 1,487 vendime legalizimi, një shifër shumë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Bashkëpunimi me qytetarët dhe përditësimi i të dhënave të kontaktit janë elementë të rëndësishëm për të përmbyllur edhe dosjet e mbetura pezull dhe për t’u dhënë zgjidhje procedurave të legalizimit.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha