Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Instituti për Krimet e Luftës përballet me vështirësi funksionimi

Instituti për Krimet e Luftës përballet me vështirësi funksionimi
Foto: gazetaexpress.com

Një listë problemesh që kanë sfiduar funksionimin normal të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës janë listuar në raportin e vlerësimit ex-post të ligjit për këtë institut.

Kufizimet e zbatimit praktik

Dokumenti ka analizuar dispozitat kryesore të ligjit, funksionalitetin institucional dhe pajtueshmërinë me pjesën tjetër të legjislacionit. Ai ka identifikuar “kufizime të dukshme” në zbatimin praktik, mungesën e burimeve dhe vonesat në implementim.

“Instituti nuk ka arritur t’i përmbushë plotësisht objektivat e tij për dokumentimin dhe ruajtjen e provave për krimet e luftës. Mungesa e bashkëpunimit të detyrueshëm nga personat fizikë, personat juridikë, organet dhe institucionet publike dhe subjektet private, si dhe mungesa e standardeve të përcaktuara për qasje dhe ruajtje të dokumentacionit, kanë ndikuar negativisht në realizimin e plotë të misionit të tij”, thuhet në dokumentin e hartuar nga Qeveria.

Sipas tij, ekzistojnë mospërputhje të konsiderueshme ndërmjet qëllimit të ligjit dhe strukturës së tij aktuale. Po ashtu, dispozitat për funksionimin e institucionit dhe për shkëmbimin e informacionit “nuk janë të lidhura sa duhet në mënyrë funksionale dhe koherente me kuadrin institucional ekzistues”.

Burimet dhe kostoja

Dokumenti thekson se mungesa e personelit të specializuar, burimet e kufizuara dhe mbështetja e pamjaftueshme financiare kanë rritur koston e zbatimit, ndërsa ndikimi ka mbetur i kufizuar.

“Kjo ka krijuar barrë administrative dhe vonesa të panevojshme në realizimin e disa objektivave të ligjit, edhe përkundër progresit që është arritur deri më tani”, thuhet në vlerësim.

Mospërputhjet me legjislacionin tjetër

Në dokument konstatohet se ligji nuk është plotësisht i harmonizuar me aktet ligjore përkatëse, si: Ligji për Arkivat, Ligji për Qasjen në Dokumente Publike, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Ligji për Administrimin e Punës në Zyre dhe Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

“Po ashtu, në Ligjin nr. 08/L-111 për Arkivat nuk është përcaktuar që edhe Instituti e ka arkivin e tij special, andaj është e nevojshme të ndryshohet ky ligj. Gjithashtu, të plotësohet dhe ndryshohet Rregullorja (QRK) nr. 08/2023, për Shtesat për të Punësuarit në Sektorin Publik, të shtohet edhe kategorizimi i nëpunësve me rrezik specifik në punë që rrezikojnë shëndetin”, thuhet në dokument.

Rekomandimet për ndryshim dhe fuqizim

Përveç rekomandimeve për ndryshimin e disa dispozitave, dokumenti kërkon edhe veprime për zbatimin e ligjit aktual. Ai thekson se funksionalizimi i plotë i institucionit ka pësuar vonesa për shkak të paqartësive ligjore dhe mungesës së resurseve. Ende mungon një arkiv special, struktura organizative nuk është funksionalizuar plotësisht, dhe procedurat për menaxhimin e dokumentacionit duhet të zhvillohen më tej.

Në vlerësimin ex-post kërkohet edhe fuqizimi i Institutit dhe rritja e kapaciteteve të tij, përmes “sigurimit të fondeve të mjaftueshme dhe rekrutimit të stafit të specializuar, duke përfshirë ekspertë të fushës së drejtësisë penale ndërkombëtare, arkivistikës dhe dokumentimit të krimeve të luftës”. Rekomandohet gjithashtu mbështetja për trajnime të specializuara për stafin e Institutit dhe për organet e tjera që bashkëpunojnë në hulumtimin, dokumentimin, arkivimin dhe luftimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, përfshirë gjyqësorin, prokurorinë, policinë, arkivat, agjencitë e sigurisë dhe ato për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë.

Bashkëpunimi ndërinstitucional

Dokumenti jep edhe dy rekomandime për bashkëpunim dhe transparencë ndërinstitucionale. I pari propozon vendosjen e një mekanizmi ligjor bashkëpunimi me të gjitha institucionet publike dhe ato të sistemit të drejtësisë për rastet që lidhen me krimet e luftës, duke përfshirë dorëzimin e dokumentacionit përkatës te Instituti, edhe nga personat fizikë dhe juridikë. I dyti kërkon formalizimin e bashkëpunimit me sistemin e drejtësisë, për të mundësuar shkëmbimin e informacionit dhe mbështetjen në hetime.

Qëllimi i ligjit

Ligji, për të cilin rekomandohet ndryshimi, ka hyrë në fuqi në vitin 2023, me qëllim themelimin dhe funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Instituti ka mandat për të mbledhur, përpunuar, hulumtuar, dokumentuar, arkivuar, ruajtur dhe publikuar të dhënat për krimet e kryera gjatë luftës, duke kontribuar në zbulimin e së vërtetës, drejtësinë për viktimat dhe ruajtjen e kujtesës historike kolektive.

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha