Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Një student ka nevojë për 602 euro në muaj për të jetuar

Një student ka nevojë për 602 euro në muaj për të jetuar
Foto: shqiptarja.com

602 euro në muaj është kostoja mesatare e jetesës për një student që studion larg familjes, sipas një studimi të Qëndresës Qytetare. Ushqimi dhe strehimi zënë gati 60 përqind të këtij buxheti. Po sipas raportit, 1 në 6 studentë mendon të ndërpresë studimet për shkak të vështirësive ekonomike.

Shpenzimet e një studenti

Në Shqipëri, një i ri që duhet të largohet nga shtëpia për të ndjekur studimet e larta në një qytet tjetër përballet me shpenzime jo të vogla për të mbuluar kostot e jetesës.

Studimi tregon se një student do t’i duhej mesatarisht 602 euro në muaj, nga të cilat gati 60 përqind shkojnë vetëm për ushqimin dhe strehimin.

“Për ushqim një student shpenzon mesatarisht 187 euro, për akomodim 169.2 euro, për rekreacion 116 euro, për materiale ndihmëse 44 euro, për transport 31.47 euro, për energji elektrike, ujë dhe internet 29.3 euro, për literaturë 14.44 euro dhe për telefoni 10.7 euro në muaj”, tha Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare.

Sipas raportit, kostot e jetesës janë shtrenjtuar vitet e fundit.

“Vetëm ushqimet kanë pasur një rritje prej 35.6% në harkun kohor të këtyre katër viteve, dhe ky është edhe elementi më i madh i kostos mujore të një studenti”, thotë Vjerdha.

Strehimi dhe mbështetja familjare

Strehimi është problemi i dytë më i madh. Qiratë për një garsoniere variojnë mesatarisht nga 250 deri në 500 euro në muaj, ndërsa për një apartament 1+1 nga 350 deri në 700 euro. Për këtë arsye, ndarja e banesës me studentë të tjerë mbetet një nga alternativat më të përballueshme.

Për të përballuar këto kosto, 76.69% e studentëve mbështeten financiarisht te familja, qoftë edhe pjesërisht. Më shumë se gjysma e tyre vijnë nga familje me të ardhura deri në 1 mijë euro në muaj, prandaj janë të detyruar të punojnë paralelisht me studimet. Për 19.26% të studentëve, puna është burimi kryesor i të ardhurave.

Si pasojë e vështirësive ekonomike, 17.6% e studentëve në nivel kombëtar, ose afërsisht 1 në 6, mendojnë të ndërpresin studimet për shkak të pamundësive financiare.

Rënia e numrit të studentëve

Raporti evidenton edhe një rënie të numrit të studentëve në Shqipëri. Rënia është shënuar në universitetet publike, me 14.28%, ndërsa universitetet private kanë shënuar rritje prej 18.34%.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha