Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Nënshkruhet marrëveshja për Parkun Eolik të Spillesë

Nënshkruhet marrëveshja për Parkun Eolik të Spillesë
Foto: abcnews.al

Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm në diversifikimin e burimeve të energjisë, pasi u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e Parkut Eolik të Spillesë, në Bashkinë e Rrogozhinës. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se parku do të ketë kapacitet të instaluar prej 72.6 MW dhe do të zhvillohet nga kompania austriake “VERBUND”.

Projekti është gati për t’u ndërtuar, ndërsa operimi tregtar pritet të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2028.

Sipas Karakaçit, investimi synon të rrisë kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe të forcojë sigurinë energjetike të vendit, duke krijuar njëkohësisht mundësi për ekonominë lokale dhe bizneset shqiptare.

Ministri theksoi se Parku Eolik i Spillesë është projekti i parë i këtij lloji që kalon në fazën e zbatimit në Shqipëri dhe pritet të shërbejë si pikënisje për zhvillimin e mëtejshëm të energjisë së erës.

Fjala e plotë e ministrit

Sot shënojmë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit energjetik në Shqipëri, një hap konkret drejt shfrytëzimit të një prej potencialeve më të rëndësishme natyrore të vendit, energjisë së erës. Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e parkut eolik të Spillesë nuk përfaqëson thjesht nisjen e një investimi të ri. Ai shënon fillimin e një etape të re në diversifikimin e burimeve të energjisë, në forcimin e sigurisë energjetike dhe në zgjerimin e kapaciteteve tona prodhuese nga burimet e rinovueshme.

Për herë të parë, Shqipëria kalon nga potenciali i energjisë së erës drejt realizimit konkret të një parku eolik që do të ndërtohet në territorin e saj. Ky është një zhvillim me rëndësi strategjike që ka kapacitetin për ta shndërruar ambicien tonë në një vend që shfrytëzon në mënyrë gjithnjë e më të plotë burimet e veta të energjisë së pastër.

Dhe është kënaqësi, që VERBUND, një nga kompanitë kryesore energjetike austriake dhe një prej partnerëve tonë kryesor në prodhimin e energjisë së pastër, do jetë projekti i parë i parqeve eolike në Shqipëri dhe uroj që të pasohet edhe nga shumë kompani të tjera.

Shqipëria ka një avantazh të rëndësishëm në sektorin energjetik, prodhimin e energjisë elektrike pothuajse të gjithin nga burimet e rinovueshme. Sigurisht ky është një aset i rëndësishëm për vendin tonë, por njëkohësisht na vendos përpara një përgjegjësie të qartë, të ndërtojmë një sistem energjetik të diversifikuar, më të qëndrueshëm dhe më pak të ekspozuar ndaj ndryshimeve të kushteve klimatike dhe luhatjeve të prodhimit.

Pikërisht për këtë arsye, Qeveria Shqiptare i ka kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimit të energjisë së erës dhe energjisë diellore, si burime që plotësojnë potencialin tonë hidroenergjetik. Objektivi ynë nuk është vetëm të prodhojmë më shumë energji, por të kemi një sistem që kombinon më mirë burimet e ndryshme, shfrytëzon potencialet natyrore dhe garanton furnizim më të sigurt për familjet, bizneset dhe ekonominë shqiptare.

Në këtë kontekst, ky park që ne sot nënshkruajmë marrëveshjen finale të saj, merr një rëndësi të veçantë. Me një kapacitet të instaluar prej 72.6 mega, ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt krijimit të një sektori të energjisë së erës në Shqipëri. I pozicionuar në Bashkinë e Rrogozhinës, pranë bregdetit të Adriatikut, parku do të kontribuojë në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese nga burimet e rinovueshme dhe në krijimin e një baze të re për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie në vendin tonë.

Ndërtimi fillon që nga dita e sotme dhe ky është një proces shumë i rëndësishëm, pasi subjekti jo vetëm që tashmë ka marrë gjithë dokumentet përkatëse, ka plotësuar të gjitha kushtet. Ministria po ashtu ka plotësuar të gjitha kushtet. Sot nënshkruhet edhe marrëveshja e shitblerjes se energjisë elektrike, leja e ndërtimit është marrë, pra është një projekt që është ready to build, për t’u ndërtuar menjëherë.

Operimi tregtar parashikohet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2028. Ky është një moment që meriton të vlerësohet, sepse tregon se politikat për zhvillimin e burimeve të reja të energjisë po përkthehen në projekte konkrete dhe investime me rëndësi për të ardhmen e vendit.

Një element tjetër i rëndësishëm është mënyra si e kemi zgjedhur ta zhvillojmë këtë sektor. Ky projekt specifikisht është rezultat i një ankandi të zhvilluar para pak vitesh që ishte ankandi i parë i parqeve eolike dhe unë dua të falënderoj këtu posaçërisht edhe Ditmarin dhe Marinelën që besuan tek ky proces dhe nuk hoqën dorë nga pjesëmarrja në proces pavarësisht se projekti kishte dhe specifikat e veta dhe kishin edhe dyshime përsa i përket disa elementëve të fizibilitetit. Nga ky proces i ankandit, siç e thashë, u përzgjodhën tri projekte eolike dhe sot projekti i Spillesë i zhvilluar nga VERBUND, është i pari nga këto projekte që ka përmbushur të gjitha parakushtet për nisjen e punimeve në terren.

Ambicia jonë është që parku i Spillesë të mos mbetet një projekt i veçuar, por të shërbejë si një pikënisje për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.

I nderuar Ditmar!

Të nderuar përfaqësues të VERBUND!

Për ne, ky projekt është gjithashtu një dëshmi e rëndësisë së partneriteteve ndërkombëtare dhe e besimit që investitorët me përvojë i japin potencialit energjetik të Shqipërisë. Prania juaj në Shqipëri, ku kompania është e angazhuar edhe në sektorin hidrik përmes projektit të Ashtës, përbën një bazë të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë së rinovueshme.

Ne e vlerësojmë këtë bashkëpunim dhe presim që zbatimi i projektit të shoqërohet me standarde të larta teknike, respektim të afateve dhe përkushtim ndaj cilësisë e sigurisë. Një investim i kësaj natyre ka rëndësi jo vetëm për kapacitetin e ri prodhues, por edhe për ekonominë lokale.

Nga ndërtimi i këtij projekti sigurisht do të përfitojë edhe bashkia Rrogozhinë, pasi ka rrugë aksesi, por edhe kontent lokal dhe ne po ashtu presim që me anë të këtij bashkëpunimi të kemi dhe sa më shumë nënkontraktorë shqiptarë që përfitojnë nga ky proces.

E ardhmja energjetike e Shqipërisë nuk ndërtohet vetëm mbi atë që kemi arritur deri më sot, por edhe mbi aftësinë tonë për të shfrytëzuar potencialet që ende nuk janë vënë plotësisht në funksion të ekonomisë. Dhe pikërisht prandaj ka rëndësi edhe ky projekt pasi vendosim për herë të parë një projekt kaq të madh të erës në zbatim.

Po e mbyll fjalën duke falënderuar edhe njëherë kompaninë VERBUND, partnerët e projektit dhe të gjithë aktorët që kanë kontribuar për arritjen e këtij momenti, por sidomos dhe gjithë bashkëpunëtorët e mi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që nuk kanë hequr dorë nga ky projekt, pavarësisht specifikave dhe qenies një projekt edhe i komplikuar nga pikëpamja e bërjes së kontratës.

Sigurisht një falënderim shumë i veçantë është për partnerët tonë të IBRD-së, të cilët gjatë gjithë këtij procesi na kanë asistuar me konsulencë që nga zhvillimi i ankandit deri në momentin e fundit të finalizimit të të gjitha kontratave. Dhe jam shumë i lumtur që partneriteti jonë vazhdon përsëri edhe me zhvillimin e ankandeve dhe ankandit të radhës, të cilët ne tashmë kemi rënë dakord dhe presim që deri në fillim të vitit pasardhës nga janari 2027 të kemi dhe një njoftim për kapacitete të reja me energjinë fotovoltaike dhe të baterive.

Edhe njëherë faleminderit dhe suksese në realizimin e këtij projekti.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha