TIRANË, 24 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Komisoni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi sot me 8 vota pro dhe 3 kundër projektligjin “Për tregjet e kriptoaseteve”.
Zëvendësministri Kajo i përgjigjet deputetëve
I ftuar në komision, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, u përgjigj pyetjeve të deputetëve mbi risitë që sjell ky ligj.
Kajo tha se aktualisht nuk ka asnjë operator në treg të liçencuar paraprakisht për kriptoasetet, por ligji vjen si detyrim i përafrimit të kuadrit ligjor me Bashkimin Evropian.
“Ne kemi një ligj të miratuar në vitin 2020, por inovacioni dhe teknologjia lëvizin shumë shpejt. Shqipëria mund të ketë qenë nga vendet e para në botë që ka normuar efektivisht me ligj tregun e kriptoasteve. Ne ndoqëm shembullin e Maltës në ato vite, që ishte pararendëse, dhe në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Synimi i ligjit dhe ndarja e shërbimeve
Sipas Kajos, synimi i ligjit është të garantojë konsumatorët shqiptarë.
“Në këtë projektligj normohen në mënyrë më të thjeshtë dhe ndahen edhe shërbimet e ndryshme se si mund të ofrohen. Ndahet kujdestaria dhe administrimi i kriptoaseteve, operimi në platformë tregtimi; pra, ka licenca të ndryshme me vlera të ndryshme dhe rregulla më të thjeshtuara”, u shpreh më tej ai.
Po ashtu, Kajo theksoi se projektligji është më i thjeshtë dhe më elastik, për të mundësuar një normim më të mirë të këtij tregu.
Burimi: ata.gov.al










