Protesta e drejtuesve të kamionëve në Italinë e Jugut kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe kostove të transportit po shkakton ndërprerje në furnizim dhe po rrezikon prodhimin e makaronave. Sipas Reuters, bllokimi i rrugëve, autostradave dhe porteve ka sjellë gjithashtu mungesa të produkteve ushqimore në disa zona të vendit, si dhe radhë të gjata në pikat e karburantit.
Prodhuesi i makaronave Rummo, me qendër në rajonin e Kampanias, njoftoi të martën se ka pezulluar prodhimin për shkak të mungesës së lëndëve të para. Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Cosimo Rummo, vështirësi të ngjashme po hasin pothuajse të gjithë prodhuesit e mëdhenj të makaronave në rajonin fqinj të Pulias.
Këto dy rajone, së bashku me Sicilinë, përbëjnë qendrat kryesore të prodhimit të makaronave në Itali. Rummo paralajmëroi se pjesa më e madhe e prodhimit italian të makaronave është ndalur ose është në prag të pezullimit.
Edhe prodhuesi La Molisana, me seli në rajonin e Molizes, raportoi një rënie të ndjeshme të prodhimit. Kompania po mbështetet në rezervat e lëndëve të para, përfshirë grurin dhe semolinën, për të vazhduar aktivitetin.
Ndërkohë, grupi italian i interesit bujqësor Confagricoltura paralajmëroi se prodhuesit në Sicili mund të detyrohen të asgjësojnë sasi të mëdha produktesh që prishen shpejt, nëse transporti nuk rifillon.
Mungesa ushqimore dhe presioni mbi çmimet
Pasojat e bllokadave po ndihen edhe përtej industrisë së makaronave. Ndërprerjet e transportit po pengojnë furnizimin e tregjeve dhe supermarketeve, ndërsa mungesat e karburantit po e vështirësojnë edhe më shumë lëvizjen e mallrave.
Në Romë, Centro Agroalimentare Roma (CAR), tregu më i madh me shumicë i frutave dhe perimeve në Itali, raportoi mungesa të produkteve si domatet, specat dhe rrushi. Sipas tij, bllokimet rrugore dhe kostot më të larta të transportit po ushtrojnë presion mbi çmimet dhe po rrisin varësinë nga importet, përfshirë ato nga Spanja dhe Shqipëria.
Situata është veçanërisht e rëndë në disa zona të Italisë jugore, ku raportohen rafte të zbrazura në supermarkete dhe radhë në pikat e karburantit.
Zineb Boutimah, 45 vjeçe, banore e qytetit Locri, në provincën e Rexho Kalabrisë, tha se njerëzit po përpiqeshin të blinin produktet e mbetura në dyqane. Ajo tregoi se kishte shkuar në një qytet fqinj për t’u furnizuar me miell dhe ushqimet që konsumon më shpesh.
Ndërsa Elena Lombardo, 78 vjeçe, gjithashtu nga Locri, tha se punonjësi i një pike lokale karburanti e kishte këshilluar të mbushte serbatorin të hënën, pasi nuk e dinte nëse do të kishte karburant të nesërmen. Të martën, pika ishte e mbyllur.
Transportuesit: Protesta është në interes të qytetarëve
Protesta nisi javën e kaluar me bllokimin e rrugëve, autostradave dhe porteve në Sicili dhe në jug të vendit. Transportuesit kundërshtojnë rritjen e çmimeve të karburanteve dhe kostot e larta të jetesës.
Vincenzo Aleccia, president i konsorciumit të transportuesve në Trapani, në Sicilinë perëndimore, pranoi se ndërprerjet janë të mëdha, por theksoi se protesta është paqësore dhe, sipas tij, zhvillohet në interes të qytetarëve, pasi rritja e çmimeve prek të gjithë.
Qeveria premton mbi 150 milionë euro ndihmë
Përballë situatës, qeveria italiane po përgatit një paketë të re mbështetjeje për transportuesit rrugorë. Pas një takimi me përfaqësuesit e sektorit të martën, zëvendësministri i Infrastrukturës, Edoardo Rixi, tha se së shpejti do të vihen në dispozicion mbi 150 milionë euro.
Ndërkohë, administrata e kryeministres Giorgia Meloni po përgatit masa më të rrepta sigurie pas trazirave të fundjavës në Milano dhe qytete të tjera të veriut, të zhvilluara në sfondin e protestave kundër inflacionit.
Përmasat ekonomike të krizës janë të konsiderueshme. Sipas një raporti të publikuar në shtator nga European House-Ambrosetti (TEHA Group), zinxhiri italian i prodhimit dhe shpërndarjes së makaronave gjeneroi 13,5 miliardë euro të ardhura vitin e kaluar. Vazhdimi i bllokadave rrezikon të ndikojë më tej në furnizimin me ushqime, prodhimin industrial dhe disponueshmërinë e karburantit në vend.
JUST IN: Italy’s pasta industry faces nationwide crisis as truck drivers protest soaring fuel prices, forcing major factories to suspend operations.
— Polymarket (@Polymarket) October 20, 2026
Burimi: euronews.al









