Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Rritet interesi për kredi, kushtet bëhen më të favorshme për bizneset e vogla dhe të mesme

Rritet interesi për kredi, kushtet bëhen më të favorshme për bizneset e vogla dhe të mesme

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Sipas anketimit të Bankës së Shqipërisë për aktivitetin e kreditimit, kërkesa për hua nga ndërmarrjet dhe personat fizikë shënoi rritje në tremujorin e tretë të vitit 2026, ndërsa institucionet bankare parashikojnë një tendencë pozitive edhe për tremujorin e fundit të vitit.

Raporti thekson se kërkesa për financim nga ana e bizneseve u rrit në të gjitha segmentet, pavarësisht madhësisë së tyre, si për të financuar investimet, ashtu edhe për të përballuar nevojat për likuiditet. Kjo rritje u nxit nga nevojat më të mëdha për investime dhe financimin e inventarëve e kapitalit qarkullues, si dhe nga treguesit e besimit të biznesit dhe niveli i përgjithshëm i normave të interesit.

Njëkohësisht, kushtet dhe termat e kreditimit për bizneset u zbutën, kryesisht përmes kërkesave më të ulëta për kolateral, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Shkalla e miratimit të kredive për bizneset shënoi një rritje të lehtë, e ndikuar kryesisht nga pasqyrat financiare të tyre.

Për tremujorin e fundit të vitit, bankat parashikojnë që standardet e kreditimit të mbeten të lehtësuara për bizneset e vogla dhe të mesme, ndërsa për bizneset e mëdha pritet të qëndrojnë pothuajse të pandryshuara. Gjithashtu, pritet që kërkesa për kredi nga bizneset të vijojë të rritet.

Për sa u përket individëve, standardet e kreditimit mbetën të pandryshuara në tremujorin e tretë, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për kreditë konsumatore. Megjithatë, shkalla e miratimit të kredive për individët pësoi rënie, kryesisht për shkak të historikut në regjistrin e kredive.

Raporti vëren se kërkesa e individëve për kredi u rrit gjatë kësaj periudhe, kryesisht për kreditë konsumatore, e nxitur nga nevojat për financimin e konsumit. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi për blerjen e banesave shënoi rënie, e ndikuar nga perceptimi i bankave mbi situatën aktuale dhe të pritshme në tregun e pasurive të paluajtshme.

Për tremujorin e katërt, bankat presin që kërkesa për kredi nga individët të mbetet e lartë, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave, ndërsa standardet e kreditimit parashikohet të mos ndryshojnë.

/e.xh/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha