Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Sokol Berberi: Kuvendi me 100 apo 101 deputetë?

Sokol Berberi: Kuvendi me 100 apo 101 deputetë?
Foto: shqiptarja.com

Prej më shumë se një viti, nga përfaqësues të mazhorancës parlamentare është hedhur ideja e zvogëlimit të Kuvendit nga 140 në 101 deputetë. Edhe në media janë shfaqur zëra që e mbështesin këtë ide, kryesisht me justifikimin e raportit ndërmjet numrit të zgjedhësve dhe kostove financiare. Propozimi mund të duket, në pamje të parë, një çështje e thjeshtë: a i duhen Shqipërisë vërtet 140 deputetë? A do të ishte një parlament me 101 anëtarë më ekonomik, më efikas dhe ndoshta më funksional? Ky shkrim nuk synon të mbështesë apo të kundërshtojë këtë ide, por të evidentojë disa teste, dimensione dhe perspektiva që mund të shërbejnë si kornizë vlerësimi nëse propozimi kalon në procesin e shqyrtimit institucional.

Një çështje më e gjerë se aritmetika

Një reformë e tillë nuk duhet parë thjesht si një ushtrim matematikor. Në një demokraci parlamentare, numri i deputetëve lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si përfaqësohen qytetarët, si shndërrohen votat në mandate, sa hapësirë kanë forcat më të vogla politike, sa efektiv është kontrolli parlamentar mbi qeverinë dhe sa rezistent është sistemi ndaj përqendrimit të pushtetit. Përpara se të pyesim nëse 101 është një numër më i mirë se 140, duhet t’i përgjigjemi një pyetjeje më themelore: çfarë Kuvendi duam dhe cilat funksione demokratike presim që ai të përmbushë?

Reduktimi nga 140 në 101 deputetë do të thotë 39 deputetë më pak, ose një zvogëlim afërsisht me 28 për qind. Kjo është një ndërhyrje e konsiderueshme në arkitekturën e institucionit kryesor përfaqësues të vendit. Për këtë arsye, barra e argumentimit duhet të qëndrojë mbi propozuesit: pse pikërisht 101 dhe çfarë problemi kushtetues apo institucional pritet të zgjidhë ky numër?

Përfaqësimi dhe lidhja me qytetarët

Funksioni i parë i parlamentit është përfaqësimi. Deputeti nuk është thjesht një votë në sallën e Kuvendit, por një urë institucionale midis qytetarit dhe organit ligjvënës. Prandaj, një nga treguesit që duhet shqyrtuar është raporti ndërmjet popullsisë, ose më saktë elektoratit, dhe numrit të deputetëve. Me zvogëlimin e Kuvendit, çdo deputet do të përfaqësojë një numër dukshëm më të madh qytetarësh.

Rëndësia e kësaj çështjeje nuk është vetëm matematikore. Pyetja është nëse një deputet që përfaqëson më shumë qytetarë do të mbetet po aq i aksesueshëm dhe nëse lidhja përfaques-zgjedhës do të mbetet efektive. Për Shqipërinë kjo duhet parë edhe në kontekstin e lëvizjeve të mëdha demografike, emigracionit, pabarazive territoriale dhe dallimeve ndërmjet qarqeve.

Sistemi zgjedhor është çelësi

Zvogëlimi i numrit të deputetëve nuk mund të analizohet i shkëputur nga sistemi zgjedhor. Kjo është ndoshta pika më e rëndësishme e debatit. Efekti varet shumë nga mënyra se si këto 101 mandate do të shpërndahen. Nëse ruhet logjika e qarqeve ekzistuese, zvogëlimi i numrit të përgjithshëm të mandateve do të zvogëlojë edhe numrin e mandateve për secilin qark. Sa më i vogël të jetë qarku, aq më e vështirë bëhet për partitë më të vogla të fitojnë një mandat.

Pragu ligjor dhe pragu real i përfaqësimit nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Edhe pa ndryshuar pragun formal, zvogëlimi i mandateve mund ta ngrejë pragun faktik që një forcë politike duhet të kapërcejë për të hyrë në Kuvend. Për këtë arsye, para ndryshimit kushtetues do të ishte e nevojshme një simulim: rezultatet e zgjedhjeve të fundit mund të llogariten sikur Kuvendi të kishte pasur 101 mandate.

Pyetjet do të ishin konkrete: sa parti do të fitonin përfaqësim? Sa vota do të mbeteshin pa u përkthyer në mandate? Si do të ndryshonte raporti ndërmjet përqindjes së votave dhe përqindjes së mandateve? Çfarë do të ndodhte në qarqet me më pak mandate? A do të favorizoheshin sistematikisht partitë e mëdha? Një analizë e tillë do ta zhvendoste debatin nga perceptimet politike drejt fakteve.

Pluralizmi kundrejt qeverisjes së qëndrueshme

Mbështetësit e një parlamenti më të vogël mund të argumentojnë se ai do ta zvogëlojë fragmentimin dhe do ta bëjë qeverisjen më të qëndrueshme. Ky është një argument legjitim. Por stabiliteti qeverisës nuk është vlera e vetme kushtetuese. Demokracia parlamentare duhet të sigurojë njëkohësisht qeverisje dhe përfaqësim. Nëse zvogëlimi favorizon sistematikisht partitë e mëdha dhe vështirëson përfaqësimin e alternativave të reja, çmimi i stabilitetit mund të jetë reduktimi i pluralizmit.

Sfida është të gjendet ekuilibri: jo parlament sa më i madh, por as aq i vogël sa efektet mekanike të sistemit zgjedhor të eliminojnë një pjesë domethënëse të votave nga përfaqësimi politik. Parimet e Komisionit të Venecias për zgjedhjet demokratike, si votimi universal, i barabartë, i lirë, i fshehtë dhe i drejtpërdrejtë, janë në themel të trashëgimisë zgjedhore europiane. Pyetja është nëse konfigurimi konkret prej 101 mandatesh i ruan apo i dobëson efektivitetin e këtyre parimeve.

Kapaciteti institucional dhe puna reale parlamentare

Parlamenti nuk është vetëm seanca plenare. Argumenti i përhapur se “përse duhen 140 njerëz për të votuar ligjet?” e thjeshtëzon rolin e deputetit. Puna reale parlamentare përfshin shqyrtimin e projektligjeve, komisionet, dëgjesat, amendamentet, kontrollin mbi ministrat, komisionet hetimore, procesin e integrimit europian, shqyrtimin e buxhetit, emërimet kushtetuese dhe diplomacinë parlamentare.

Nëse Kuvendi zvogëlohet me 28 për qind, çfarë ndodh me komisionet? A do të reduktohet numri i anëtarëve të tyre? A do të duhet që një deputet të jetë aktiv në më shumë komisione? A do të kenë grupet më të vogla parlamentare kapacitet për të mbuluar të gjitha fushat? Dhe, veçanërisht, a do të ketë opozita burime njerëzore të mjaftueshme për të ushtruar kontroll efektiv? Këto pyetje janë edhe më të rëndësishme sepse Shqipëria ka parlament njëdhomësh. Nuk ekziston një dhomë e dytë që mund të korrigjojë mangësitë e shqyrtimit legjislativ të dhomës së parë.

Kontrolli mbi qeverinë

Në demokracitë parlamentare ekziston një tension i përhershëm: qeveria mbështetet te shumica parlamentare, por parlamenti duhet njëkohësisht ta kontrollojë qeverinë. Pyetja është nëse një Kuvend me 101 anëtarë e forcon apo e dobëson këtë aftësi. Një parlament më i vogël nuk është domosdoshmërisht më i dobët. Por, në një sistem ku disiplina partiake është e fortë, reduktimi mund ta bëjë grupin parlamentar më homogjen dhe të rrisë peshën e strukturave drejtuese të partive.

Përqendrimi i vendimmarrjes dhe ndikimi i interesave

Një çështje më delikate është nëse një parlament më i vogël është më i ekspozuar ndaj ndikimit të interesave private apo ekonomike. Përgjigjja kërkon kujdes, dhe nuk ka formulë të thjeshtë që më pak deputetë do të thotë më shumë ndikim të papërshtatshëm. Por ekziston një rrezik që duhet analizuar: përqendrimi i vendimmarrjes te një numër më i vogël aktorësh.

Shumica absolute në një Kuvend me 140 vende kërkon 71 deputetë, ndërsa me 101 kërkon 51. Lobimi dhe ndikimi politik nuk funksionojnë si mbledhje individuale votash. Vendimet shpesh formohen brenda komisioneve dhe, sidomos, brenda drejtimit të grupeve parlamentare. Një projektligj për energjinë, koncesionet, prokurimin publik apo zhvillimin e territorit mund të marrë formën e tij reale përmes një numri relativisht të vogël deputetësh.

OECD e njeh lobimin si mënyrë legjitime për të kontribuar me informacion në vendimmarrjen publike, por rekomandimi i saj i rishikuar në 2024 paralajmëron për rrezikun e ndikimit të padrejtë kur mungojnë transparenca, integriteti dhe mundësi të barabarta për të marrë pjesë në politikëbërje. Pyetja, pra, nuk është nëse 101 deputetë “kapen” më lehtë se 140, por nëse përqendrimi më i madh i fuqisë vendimmarrëse shoqërohet me mekanizmat e nevojshëm të transparencës.

Integriteti parlamentar si kusht i reformës

Diskutimi duhet të kalojë nga numri i deputetëve te integriteti parlamentar. Nëse reduktohet numri i deputetëve, reforma mund të shoqërohet edhe me forcimin e mekanizmave mbrojtës: rregullim transparent të lobimit dhe grupeve të interesit; regjistrim të kontakteve të rëndësishme ndërmjet deputetëve dhe grupeve të interesit; deklarim dhe kontroll efektiv të konflikteve të interesit; transparencë më të madhe të financimit politik; identifikim të grupeve të interesit të konsultuara gjatë hartimit të ligjeve; rregulla më të forta mbi dhuratat dhe përfitimet; transparencë më e madhe e punës së komisioneve.

Kjo qasje përputhet edhe me vëmendjen që GRECO, Organi Monitorues kundër Korrupsionit i Këshillit të Europës, i kushton parandalimit të korrupsionit te parlamentarët, përfshirë konfliktin e interesit, deklarimin e pasurive dhe kontrollin e zbatimit të këtyre rregullave. Problemi nuk është vetëm sa deputetë vendosin, por edhe nën çfarë rregullash, me çfarë transparence dhe nën çfarë kontrolli.

Kostoja dhe balanca e saj

Argumenti i kostos duhet vendosur në balancë dhe në kontekst. Një parlament me 101 anëtarë kushton më pak se një me 140, dhe ky argument nuk duhet shpërfillur, por as mbivlerësuar. Duhet një llogari transparente: sa është kursimi real i 39 deputetëve më pak, pasi zbriten kostot fikse të administratës, ambienteve, teknologjisë dhe sigurisë që do të vazhdojnë të ekzistojnë? Kursimi duhet krahasuar me buxhetin e përgjithshëm publik. Nëse përfitimi është kryesisht simbolik, ndërsa kostoja potenciale është më pak përfaqësim ose më pak kapacitet parlamentar, argumenti financiar humbet forcën. Demokracia ka një kosto, dhe pyetja racionale është nëse kjo kosto prodhon vlerë publike.

Krahasimet ndërkombëtare

Krahasimet me vende të tjera europiane janë të dobishme, por mund të jenë edhe keqorientuese. Nga fakti që një shtet ka parlament më të vogël nuk rrjedh se ky model është i përshtatshëm për Shqipërinë. Krahasimi duhet të kontrollojë të paktën katër variabla: popullsinë dhe elektoratin; sistemin zgjedhor; nëse parlamenti është njëdhomësh apo dydhomësh; dhe funksionet kushtetuese e përfaqësuese të parlamentit. Argumenti “vendi X ka 100 deputetë” ka pak vlerë nëse nuk shpjegohet si funksionojnë ata brenda gjithë arkitekturës kushtetuese.

Pse 101?

Pyetja më e thjeshtë mund të jetë edhe më e rëndësishmja: pse pikërisht 101? Numri tek ka një element praktik, sepse shmang barazimin numerik në Kuvend. Por kjo nuk mjafton për të justifikuar përmasën e institucionit bazë të përfaqësimit demokratik. Numri duhet të jetë rezultat i një metodologjie, jo pikënisja e saj. Një proces racional do të ecte kështu: përcaktojmë kriteret, vlerësojmë alternativat, simulojmë pasojat dhe vetëm pas kësaj caktojmë numrin. Nëse fillojmë me 101 dhe më pas kërkojmë argumentet që e justifikojnë, ekziston rreziku që reforma kushtetuese të bëhet instrument i një objektivi politik të paracaktuar.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha