Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama para Asamblesë së PS: çështjet e nxehta dhe ndryshimet e mundshme në qeveri

Rama para Asamblesë së PS: çështjet e nxehta dhe ndryshimet e mundshme në qeveri
Foto: shqiptarja.com

Sot në orën 10:00 mbahet mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet larg kryeqytetit, në një resort turistik në Gjirin e Lalzit. Axhenda nuk është bërë ende publike, ndërsa dihet vetëm se kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjalim.

Periudha në të cilën po mbahet kjo asamble vjen mes zhvillimeve të forta politike.

Kandidatët për bashkitë

Përgatitja për zgjedhjet lokale dhe formula se si socialistët do t’i zgjedhin kandidatët për 46 kryetarë bashkie, pritet të jetë në qendër të vëmendjes. Emra të rëndësishëm tashmë janë hedhur në opinionin publik nga media si kandidatura të mundshme, por ‘hermetizmi’ në kampin socialist vijon të jetë i fortë.

Erion Braçe ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë pa tentuar një proces brenda partiak për përcaktimin e kandidatëve, me ambicien e pa fshehur për të qenë alternativa socialiste për kryebashkiak të Tiranës.

Për kryeqytetin, mes emrave socialistë alternativa janë edhe Ogerta Manastirliu, e cila pritet të konfirmohet nëse do të jetë sërish, pasi Rama e propozoi për zgjedhjet e parakohshme të nëntorit 2025, të mbetura në tentativë.

Një emër që po konfigurohet për garën më të rëndësishme të 9 majit 2027, atë për kryeqytetin, është ai i ministrit aktual të Brendshëm Ervin Demo. Ai erdhi në parlament dhe më pas në kabinetin qeveritar pas eksperiencës disa vjeçare në Bashkinë e Beratit. Por Demo nuk është i vetmi anëtar i qeverisë që mund ta linte postin ministror për t’u bërë drejtues në pushtetin vendor.

Enea Karakaçi po shikohet si një mundësi për të kandiduar për Bashkinë e Shkodrës, ndërsa Andis Salla mund ta lërë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të kandiduar për Bashkinë e Elbasanit. Kjo bashki është bërë një nga më të rëndësishmet në vend, pasi me reformën e re territoriale mori Gramshin dhe Cërrikun, të cilin Salla e ka drejtuar për një mandat e gjysmë.

Kabineti dhe protestat

Edhe për arsyen se disa ministri mund të mbeten vakante, nën ethe për mbledhjen e së shtunës është edhe kabineti qeveritar. Disa mund të jenë “kurbani” i protestave dhe pakënaqësisë së akumuluar të qytetarëve. Kjo është asambleja e parë e thirrur nga Rama pas protestave të flamingove dhe atyre të dhunshme të tetorit.

Se si Edi Rama do ta pozicionojë në fushën e betejës së radhës elektorale drejtuesit politikë të qarqeve, pritet të jetë gjithashtu domethënës për mënyrën se si do të zhvillohet fushata zgjedhore.

Përplasja me Veliajn

Në kampin rozë ka edhe një përplasje të fortë mes tij dhe Erion Veliajt, i cili së fundmi i ka hapur luftë, por kryeministri i ka shpërfillur akuzat.

Veliaj ka kërkuar të jetë i pranishëm në këtë mbledhje partie, duke i vënë në dispozicion SPAK-ut dhe partisë së tij disa variante: prani fizike, online, ose leximi gjatë mbledhjes së asamblesë i një letre me qëndrimet e tij. Socialistët nga ana tjetër e kanë bërë të qartë se Veliaj duhet ta lërë partinë jashtë përballjes së tij me drejtësinë. Mbetet për t’u parë nëse lufta e hapur nga kryebashkiaku ndaj kryesocialistit do të adresohet në asamble, qoftë edhe përmes një qëndrimi të Ramës, i munguar deri tani.

Një tjetër element që do të shihet se sa peshë do të marrë janë kritikat e ish-kryeparlamentares socialiste Elisa Spiropali. Ajo ka shpalosur disa ide apo platforma për mënyrën se si duhet të funksionojë selia rozë, dhe tashmë me Asamblenë Kombëtare erdhi momenti t’i shpalosë ato edhe zyrtarisht.

Kjo është mbledhja e parë e Asamblesë prej 9 muajsh, pasi e fundit ishte më 21 mars të kaluarin.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha