Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) njofton se vendi do të preket nga reshje nga mesatare deri në shumë intensive në disa qarqe, gjatë pasdites së kësaj të enjte dhe ditës së nesërme, 13 nëntor.
Parashikimi i motit për 12 dhe 13 nëntor
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së 12 nëntorit priten reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata, në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Për ditën e nesërme, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive parashikohen në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Rreziqet dhe masat e nevojshme
AKMC paralajmëron se si pasojë e reshjeve mund të ketë grumbullime të përkohshme uji në disa zona urbane, ndërsa në zonat malore ekziston rreziku i vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Agjencia u ka kërkuar strukturave vendore të marrin masa parandaluese, të monitorojnë zonat me rrezik dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje në rast nevoje.
Ndërkohë, qytetarëve u është bërë thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj rrezikut, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
Burimi: euronews.al










