Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka ngritur akuza të forta lidhur me dosjen “Albanian Files” dhe komunikimet që, sipas tij, lidhin kryeministrin Edi Rama me çështje që kanë të bëjnë me projektet arkitekturore dhe pronat publike.
Komunikimet me arkitektët
Çollaku u ndal te komunikimet e publikuara mes kryeministrit dhe arkitektëve të huaj, të cilëve, sipas gazetarit, Rama u jepte porosi për ndërhyrje në prona publike. Ai theksoi se këto prona nuk mund të trajtohen si pronë personale e kreut të qeverisë.
“Janë publikuar komunikimet e kryeministrit me arkitektë: ‘Hajde këtu, merr këtë’. Nuk është bahçe e kryeministrit Shqipëria. Është para që qarkullon”, deklaroi Çollaku.
Gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje për lidhjet e këtyre arkitektëve me biznese në Shqipëri, të cilat i cilësoi si të dyshimta, dhe kërkoi hetim të plotë të përgjegjësive.
Akuzat për ndërhyrje në tendera
Çollaku foli edhe për dosjet penale në gjykim dhe për shkallën e çështjeve të hetuara. Sipas tij, “kemi 1.2 miliardë euro pretendime abuzimi për ish-zv.kryeministre të pandehur, 30 të pandehur”, si dhe “gjysma e buxhetit të dyshuar për vjedhje”, me “150 të pandehur” dhe pa akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Ai shtoi se duhet një SPAK i veçantë “vetëm për godinën e Kryeministrisë”.
Ai ngriti gjithashtu akuza për ndërhyrje të kryeministrit në procedurat e tenderëve publikë, duke pretenduar se komunikimet përmbajnë porosi për shpërndarjen e projekteve dhe kontratave. Sipas tij, “porosi të kryeministrit që shpërndahen për tenderë publikë” janë të dukshme në komunikime dhe përgjime, duke përmendur edhe materialin e lidhur me SKY ECC.
Çollaku përmendi edhe një nga deklaratat e Ramës, sipas të cilës “do flasin për mua në përgjimet e Encro”, dhe pretendoi se dy persona përmenden shpesh në këto materiale: Edi Rama dhe Taulant Balla. Këto pretendime janë deklarata të gazetarit dhe nuk janë vërtetuar ende në gjykatë.
Burimi: www.balkanweb.com










