Gjatë samitit Global AI and Digital Summit 2026, i cili po mbahet në Seul të Republikës së Koresë, ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, zhvilloi një takim me ministrin e Teknologjisë së Informacionit, Komunikimit dhe Inovacionit të Republikës së Mauriciusit, Dr. Avinash Ramtohul.
Siç njofton Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, bisedimet u fokusuan në përvojat dhe prioritetet që të dy vendet kanë në fushën e transformimit digjital, inteligjencës artificiale dhe inovacionit teknologjik.
Gjithashtu, ministrat diskutuan për sfidat e përbashkëta që lidhen me zhvillimin e këtyre sektorëve, në mënyrë të veçantë për krijimin e zgjidhjeve digjitale, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe shfrytëzimin e teknologjive të reja.
Ky takim hapi mundësi për të identifikuar fusha të interesit të përbashkët dhe për të shqyrtuar hapa që do të kontribuonin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mauriciusit.
Të dyja palët paraqitën pikëpamjet e tyre mbi rolin që kanë teknologjia dhe inteligjenca artificiale në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe në përmirësimin e shërbimeve publike.
Burimi: www.albeu.com









