Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

Gjermania dhe Austria i kërkojnë TikTok-ut kalimin në pronësi evropiane

Gjermania dhe Austria i kërkojnë TikTok-ut kalimin në pronësi evropiane
Foto: insajderi.org

Pas Shteteve të Bashkuara, edhe Evropa po kërkon të marrë kontrollin e operacioneve të TikTok. Gjermania dhe Austria kanë propozuar që aktiviteti evropian i platformës kineze të kalojë nën pronësi evropiane, duke argumentuar se legjislacioni ekzistues nuk është i mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe kontrollin mbi algoritmet.

Nisma u prezantua pas një takimi në Vjenë mes ministrit gjerman të Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretarit austriak të Shtetit për Digjitalizimin, Alexander Pröll.

Kërkesa për kontroll evropian

Dy vendet kërkojnë kontroll evropian jo vetëm mbi kapitalin e kompanisë, por edhe mbi infrastrukturën teknologjike, përfshirë algoritmin e rekomandimit të përmbajtjeve dhe aksesin në të dhënat e përdoruesve.

TikTok numëron rreth 200 milionë përdorues në Evropë, ndërsa afërsisht një e treta e popullsisë së Gjermanisë dhe Austrisë e përdor platformën, duke e kthyer atë në një instrument të rëndësishëm të formimit të opinionit publik, veçanërisht mes të rinjve.

Gjermania dhe Austria synojnë të sigurojnë mbështetjen e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian në mbledhjen e Këshillit të Telekomunikacionit, më 2 dhjetor në Bruksel.

Më 6 nëntor, Komisioni Evropian arriti në përfundimin paraprak se TikTok kishte shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA), për shkak të mënyrës se si algoritmi i platformës ekspozon përdoruesit ndaj përmbajtjeve potencialisht të dëmshme.

Evropa kërkon të ndjekë modelin amerikan

Në janar të këtij viti, ByteDance, kompania kineze që zotëron TikTok, ia transferoi kontrollin e operacioneve amerikane një sipërmarrjeje të përbashkët me shumicë pronësie amerikane, për të shmangur ndalimin e platformës në SHBA.

Gjermania dhe Austria argumentojnë se një model i ngjashëm mund të forcojë sovranitetin digjital të Evropës.

TikTok e kundërshton propozimin

TikTok e ka kundërshtuar nismën, duke argumentuar se ajo shpërfill kuadrin rregullator evropian dhe programin e kompanisë për sigurinë e të dhënave, Project Clover, me vlerë 12 miliardë euro.

Kompania thekson se operacionet e saj evropiane menaxhohen nga subjekte të regjistruara në Irlandë dhe Britaninë e Madhe. Sipas TikTok, shumica e aksioneve të kompanisë mëmë, ByteDance, zotërohen nga investitorë institucionalë ndërkombëtarë, ndërsa qeveria kineze nuk zotëron aksione në të. / EURONEWS.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha