Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Limaj: Në Hagë nuk dallohej kush ishte prokuror e kush gjyqtar

Limaj: Në Hagë nuk dallohej kush ishte prokuror e kush gjyqtar
Foto: insajderi.org

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar punën e trupit gjykues në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në një panel diskutimi me temën “Kosova pas 16 shtatorit”, Limaj shprehu shqetësimin e tij lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë dhe integritetin e trupit gjykues.

Roli i gjyqtarit dhe barra e provës

Ai tha se në një proces gjyqësor, gjyqtari duhet të jetë neutral dhe të garantojë barazinë e palëve, ndërsa barra e provës i takon prokurorisë.

“Për të akuzuarin nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të ketë një trup gjykues përpara, që jep siguri se po zbatohet ligji, se është i aftë dhe ka integritet. Ajo që unë kam parë në këtë rast është se trupi gjykues duhet të jetë i heshtur, neutral, të balancojë dhe të dëgjojë faktet dhe provat nga palët, mbrojtja në njërën anë dhe prokuroria në anën tjetër. Gjyqtari kurrë nuk duhet të marrë një rol aktiv ndaj njërës apo tjetrës palë. Trupi gjykues duket i predispozuar më shumë të mbrojë të drejtën e të akuzuarit sesa të ndihmojë prokurorinë në sallën e gjyqit”, deklaroi Limaj.

Pretendimet për pyetjet e gjyqtarëve

Limaj pretendoi se gjatë procesit gjyqësor në Hagë, trupi gjykues ka qenë tepër aktiv në pyetjet ndaj dëshmitarëve, duke e krahasuar këtë me rolin e prokurorisë. “Çfarë kemi parë ne? Kushdo që ka ndjekur procesin ka parë një trup gjykues që, për mua, ka qenë shokues, i aktivizuar gjatë marrjes në pyetje dhe gjatë vetë procesit të prokurorisë. Janë 74 orë ku gjyqtarët kanë bërë pyetje, dhe pyetjet e tyre kanë qenë pyetje të prokurorit. Aty ku e ka lënë prokurori, ka vazhduar gjyqtari, dyfishin e asaj që bëri prokurori”, tha ai.

Ai përmendi edhe përvojën e tij personale në procesin gjyqësor në Hagë, duke thënë se gjatë dy viteve të gjykimit të tij, trupi gjykues kishte bërë vetëm shtatë pyetje, të cilat, sipas tij, kishin qenë në favor të mbrojtjes.

“Për të ilustruar një shembull se kjo nuk bëhet, në rastin tim, në Hagë, për dy vjet gjykim, gjykata ka bërë vetëm shtatë pyetje, dhe të shtatë kanë qenë në favor të mbrojtjes. Ndërhyrja e gjykatës në dhomën e gjyqit ka qenë e tillë që ka ruajtur integritetin e procesit gjyqësor dhe nuk e ka lejuar prokurorinë të dalë jashtë rregullave dhe standardeve”, shtoi ai.

Barazia e armëve dhe standardi i provës

Sipas Limajt, në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është vështirë të dallohet roli i prokurorit nga ai i gjyqtarit, gjë që, sipas tij, e dëmton parimin e barazisë së armëve.

“Në këtë rast, është vështirë të shihet cili është prokurori dhe cili gjyqtari, dhe kjo tregon mungesë integriteti të këtij gjyqtari. Kjo e dëmton barazinë e armëve, që do të thotë se të dy palët kanë mundësinë dhe të drejtën e barabartë për të paraqitur provat e tyre, mbrojtjen ose akuzat para trupit gjykues. Për ta garantuar këtë barazi, trupi gjykues duhet të garantojë të drejta të barabarta dhe të mos marrë anën e asnjërës palë. Një tjetër gjë që ka munguar në këtë proces është standardi i provës. Prova është baza dhe zemra e çdo procesi gjyqësor”, tha ndër të tjera Limaj.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha