TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ U luajtën të shtunën dy ndeshje të tjera të vlefshme për javën e 12-të të kategorisë “Abissnet Superiore”.
Teuta fiton ndaj Laçit
Teuta ka marrë një fitore me shumë peshë në kampionat, duke mposhtur minimalisht në “Niko Dovana” Laçin. Në një sfidë të luftuar, fati i takimit u vendos në minutën e 50-të, kur Pedro Martelo gjeti rrugën e rrjetës dhe i dha avantazhin skuadrës durrsake. Ky gol rezultoi vendimtar, duke i siguruar Teutës tri pikë të çmuara në garën për kreun e renditjes.
Me këtë sukses, durrsakët ngjiten në kuotën e 23 pikëve pas 12 ndeshjeve, me bilancin e 7 fitoreve, 2 barazimeve dhe 3 humbjeve. Teuta mban vendin e dytë, katër pikë pas kryesuesve të Egnatias, që numërojnë 27 pikë.
Nga ana tjetër, Laçi pëson një tjetër rezultat negativ dhe mbetet në vendin e nëntë me 11 pikë, pas 3 fitoreve, 2 barazimeve dhe 7 humbjeve.
Vllaznia mposht Partizanin
Në takimin tjetër, Vllaznia iu imponua Partizanit në Arenën Kombëtare, duke e mundur me rezultatin e ngushtë 1-0, një sukses ky që iu dha mundësinë kuqebluve të shkojnë në kuotën e 15 pikëve duke iu larguar fundit të klasifikimit.
Edhe pse Partizani u shfaq më kërkues në fushën e lojës, ishte Vllaznia ajo që i shfrytëzoi më mirë mundësitë që iu dhanë, sic ishte ai i minutës së 57 në pjesën e dytë kur fitoi një 11 metërsh që u shndërrua në gol nga Bekim Balaj për të cuar rezultatin në 1-0.
Në minutën e 76-të Vllaznia mbeti me 10 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Nëokporo, megjithatë skuadra shkodrane diti të ruajë avantazhin e krijuar deri në fund të takimit duke marrë 3 pikë shumë të çmuara për ecurinë e saj në kampionat dhe duke e lënë Partizanin në vendin e fundit të klasifikimit.
Ndeshjet e javës dhe programi i sotëm
Të premten u luajtën dy ndeshjet e para të kësaj jave, ku Skënderbeu fitoi ndaj Egnatias 1-0, e po me këtë rezultat AF Elbasani fitoi përballë Dinamo City.
Java e 12-të do të mbyllet sot me përballjen Vora – Tirana, që do të zhvillohet në stadiumin e Vorës, në orën 13:30.
Burimi: ata.gov.al










