Kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve do të ketë tre përballje tejet të vështirë në kampionatin evropian, që për herë të parë nga 16 qershori deri më 3 korrik organizohet në Shqipëri dhe Serbi. Në shortin e hedhur në Beograd, të kuqtë e vegjël “peshkuan” fillimisht Spanjën dhe më pas Italinë e Finlandën.
Të tre rivalët janë jashtëzakonisht të fortë për një kombëtare debutuese, edhe pse 21-vjeçarët e Bushit barazuan 0-0 në miqësoren kundër Spanjës pak ditë më parë në “Air Albania”. Si Spanja ashtu edhe Italia janë rekordmenet e këtij kompeticioni, me nga 5 trofe të fituara. Finlanda ndërkohë merr pjesë këtë verë për herë të tretë në Evropianin e 21-vjeçarëve.
“Bashkëorganizimi i këtij kampionati bashkë me Serbinë ka gjithashtu një domethënie të veçantë. Është detyra jonë e të dy federatave që kemi marrë përsipër këtë përgjegjësi për të treguar që vërtet i ka shërbyer vendeve tona. Ta organizojmë sa më mirë këtë Kampionat Evropian dhe t’i bëjmë të gjithë të ndihen të mirëpritur në Shqipëri dhe Serbi,” u shpreh kreu i FSHF Armand Duka në ceremoninë e shortit në Serbi.
Dy ndeshjet e para të Kombëtares U-21 do të zhvillohen në “Air Albania”: kundër Spanjës më 16 qershor dhe kundër Italisë më 19 qershor. Ndeshja e tretë, më 22 qershor, luhet kundër Finlandës në “Elbasan Arena”. Nga grupi kualifikohen vendet e para dhe të dyta, ndërsa vendet e treta dhe të katërta eliminohen. Ashtu si Shqipëria, edhe Serbia, si organizatore, do t’i zhvillojë të gjitha ndeshjet e Evropianit në territorin e saj, me përjashtim të finales. Nëse arrihet, ajo do të luhet më 3 korrik në stadiumin kombëtar të Tiranës, “Air Albania”.


Trajneri Alban Bushi me pritshmëri pas shortit: Kombëtarja U-21 ka favor të madh tifozët, do bëjmë shumë mirë
Shorti e vendosi kombëtaren shqiptare të 21-vjeçarëve në një grup shumë të fortë për Evropianin, por trajneri Alban Bushi thotë se kuqezinjtë do të bëjnë shumë mirë. Sipas Bushit, fakti që Kombëtarja do të luajë para 22 mijë tifozëve në “Air Albania” do të jetë special dhe një faktor shumë i madh ndihmës.
“E dinim që të gjitha kombëtaret në short ishin të forta, të nivelit shumë të mirë teknik dhe fizik. Përsa i përket shortit që ra, kemi luajtur me to në dy vitet e fundit. Me Spanjën luajtëm para dy javësh. Me Italinë kemi bërë miqësore para 3-4 muajsh, ndërsa me Finlandën kemi qenë në të njëjtin grup para 1 viti e gjysmë. Mendoj se është short i mirë, duke parë të gjitha ekipet që kanë kualitet. Ne duhet të jemi ambicioz, konkurues në çdo ndeshje, sepse nuk jemi vetëm një ekip i fortë, por do luajmë edhe përballë 20 mijë tifozëve në Air Albania. Ky është favor shumë i madh. Shpresoj dhe mendoj se do bëjmë shumë mirë. Do jemi dinjitozë për të përfaqësuar Shqipërinë sa më mirë,” u shpreh Alban Bushi.
Burimi: shqiptarja.com










