Paris Saint-Germain shfaqet i shqetësuar për mungesën e Nuno Mendes në ndeshjen e rëndësishme kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve.
Trajneri Luis Enrique duhet të gjejë një zgjidhje adekuate për të ndalur Lamine Yamal, i cili përbën një nga rreziqet kryesore të skuadrës katalanase.
Sipas mediumit francez “L’Équipe”, një nga opsionet më të mundshme është angazhimi i Warren Zaïre-Emery në një rol të pazakontë, me detyrën për të ndjekur nga afër talentin e Barcelonës, raporton “Gazeta Express”.
Mesfushori francez njihet për intensitetin, aftësinë për të mbuluar hapësira të gjera dhe gatishmërinë për të sakrifikuar.
Megjithatë, PSG-ja është e vetëdijshme se mbulimi individual mund të mos jetë i mjaftueshëm për të frenuar Yamalin, prandaj do të nevojiten edhe mbulime të dyfishta dhe ndihmë nga bashkëlojtarët.
Yamal po kalon një formë të shkëlqyer, me 9 gola dhe 10 asistime që nga fillimi i sezonit.
Luis Enrique po shqyrton edhe alternativa të tjera, duke përfshirë Lucas Hernandezin, por Zaïre-Emery duket të jetë kandidati kryesor për momentin.
Dueli i tij me Yamalin mund të jetë një nga elementet vendimtare të ndeshjes. /Gazeta Express
Burimi: www.gazetaexpress.com










