Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Nafta, SHBA merr kryesimin e importeve në Shqipëri, Arabia Saudite humbet terren

Nafta, SHBA merr kryesimin e importeve në Shqipëri, Arabia Saudite humbet terren

Pasi filloi konflikti në Lindjen e Mesme, Shqipëria po shpenzon qartësisht më shumë për importet e lëndëve djegëse minerale, vajrave minerale dhe produkteve të distilimit, ndërkohë që sasia e blerë nga jashtë është rritur shumë më pak. Që prej marsit, muaji i parë pas fillimit të konfliktit më 28 shkurt, Shqipëria ka importuar vetëm 4.9% më shumë në peshë sesa në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, por ka paguar 25.3% më shumë. Gjatë mars-shtatorit 2026 u importuan rreth 765 milionë kg, me vlerë 66.4 miliardë lekë, krahasuar me 729.5 milionë kg dhe 53 miliardë lekë një vit më parë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e ka përshkruar këtë konflikt si ndërprerjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut global të naftës.

Hendeku mes sasisë dhe vlerës përbën treguesin më të fortë të kësaj periudhe. Shqipëria nuk e ka rritur ndjeshëm volumin e importuar, por shpenzimi për të është zgjeruar me një ritëm shumë më të lartë.

Shtatori e bën edhe më të dukshëm këtë kontrast. Krahasuar me shtatorin 2025, sasia e importuar ra me rreth 6.3%, ndërsa vlera u rrit me 27.4%, duke arritur në afro 11.6 miliardë lekë. Një muaj më parë, në gusht, fatura kishte arritur në pothuajse 12 miliardë lekë, niveli më i lartë i periudhës së analizuar.

Pas konfliktit ka ndryshuar edhe harta e furnizuesve. SHBA-ja është shfaqur si furnizuesi kryesor në muajt e fundit. Vetëm në korrik-shtator importet arritën rreth 11.1 miliardë lekë, me 4.28 miliardë në gusht dhe 3.33 miliardë në shtator.

Italia zuri kryesimin në maj dhe qershor, me mbi 3.3 miliardë lekë në secilin muaj, ndërsa Spanja u ngjit ndjeshëm në shtator, në rreth 2.33 miliardë lekë.

Në të kundërt, Arabia Saudite dominoi menjëherë pas shpërthimit të krizës, me rreth 3 miliardë lekë në mars dhe 3.45 miliardë në prill, por më pas prania e saj u tkurr ndjeshëm. Në korrik-shtator importet prej saj ishin pothuajse minimale. Edhe furnizimi nga Gjiri u bë më i luhatshëm. Emiratet u rikthyen fort vetëm në gusht, ndërsa Kuvajti regjistroi një dërgesë të madhe në korrik. Mes furnizuesve kryesorë, Greqia rezulton me vlerën mesatare më të lartë për kilogram të importeve, e ndjekur nga Arabia Saudite dhe SHBA-ja. Megjithatë, diferencat ndikohen edhe nga lloji i produkteve të importuara nga secili treg.

Burimi: www.gazetatema.net

Të fundit Të gjitha