TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Edhe pse të përfshirë në programin “100 fshatrat”, shumë pak vizitorë kanë qenë në rrugicat e gurta të fshatrave Arrëz dhe Sinicë në Devollin e Sipërm. Për t’u arritur atje është e thjeshtë, si me rrugë automobilistike nga Bilishti drejt Mirasit, ashtu edhe me shtegun që nis nga Dardha e Korçës, zbret në Arrëz dhe Sinicë dhe përfundon sërish në fshatin turistik më të njohur të zonës.
Për ata që duan të shohin panorama mbresëlënëse dhe të përjetojnë autenticitetin e një zone të thellë, por historikisht të banuar, shtegu këmbësor është zgjedhja e duhur.
Nisja nga Dardha
Shtegu nis nga Dardha, e cila në ditët e para të nëntorit vezullon nga ngjyrat e vjeshtës. Pyjet dhe malet janë të veshura me pemë shumëngjyrëshe: nga e gjelbra e pishave, tek e verdha dhe e kuqja e rrapeve, arrave dhe panjave.
Fshati, me qetësinë e tij të përhershme, rrugicat e gurta dhe shtëpitë monumentale, të fton të qëndrosh. Rrethinat e tij të ftojnë edhe më fort, me ngjyrat e ndezura të vjeshtës dhe shtigjet piktoreske.
Dalim nga fshati dhe ndjekim shtegun që fillimisht të çon pranë një bujtine të rregulluar rishtazi, ku në kopshtin e saj ndodhet vendi që banorët e quajnë “Uji i Qelbur”. Emri nuk i referohet pastërtisë, pasi në Dardhë çdo gjë flet për të kundërtën. Burimi mban erë të fortë squfuri, dhe njerëzit e kanë çuar ujin deri në Amerikën e largët te të afërmit, që e kanë kërkuar për nostalgji apo bestytni.
Shtegu ngjitet e zbret deri sa e gjen rrugën e asfaltuar të makinës. Rruga është piktoreske në këtë stinë, me shpatet e maleve të mbushura me të gjitha nuancat e vjeshtës, ndërsa pak mjegull dhe shi i shtojnë një notë misteri.
Dobërgore dhe Arrëz
Pikërisht në mes të pyllit, midis pemëve të larta dhe mjegullës që ka nisur të shpërndahet, shfaqet tabela që të drejton për në Dobërgore, një vend i shenjtë i zonës. Veçantia e tij është se mbledh si të krishterët, ashtu edhe muslimanët. Shtëpiza e ngritur mes pemëve është e përbashkët për besimtarët e të dyja feve. Përreth është menduar edhe një tavolinë guri e mbuluar me çati dhe stola piktoreske për ata që e vizitojnë për t’u lutur për shëndet dhe mbarësi.
Shtegu vijon mes pemëve, dhe pas disa kilometrash shfaqet fshati Arrëz. Duket sikur ndodhesh në një pikturë madhështore, e realizuar nga një mjeshtër që i do detajet. Fshati duket i dalë nga një film i së kaluarës. Shtëpitë janë të ndërtuara me blloqe guri, rrugicat janë të shtruara me gur. Nga njëra anë shihen shtëpi të mirëmbajtura, nga ana tjetër rrënoja banesash, dikur të forta e të banuara, që janë lënë në harresë. Kopshtet e shtëpive të banuara janë plot lule, pemë dhe lakra të bardha, që amvisat e këtyre anëve i bëjnë turshi për dimër. Tani, në nëntor, kanë mbetur ca vile rrushi në degët e hardhive mes gjetheve të verdha e të kuqe, mollë, ndërsa arrat po zhvishen ngadalë.
Në një nga rrugicat afër xhamisë, një lokal fshati dallohet menjëherë nga tymi i sobës që ngrihet i bardhë në ajër. Të zotët, babai me të birin, janë mikpritës, siç dinë të jenë në fshat. Raki kumbulle e zjerë dy herë dhe kafe turke janë të mirëpritura nga të gjithë.
Babai dhe i biri na thonë se fshati ka aktualisht rreth 100 banorë që jetojnë aty dimër e verë, ka shkollë nëntëvjeçare, ndërsa të larguarit në emigracion vijnë herë pas here për të parë shtëpitë e tyre.
Arrëza ka qenë një nga fshatrat më të mëdhenj të zonës, me gati 1200 shtëpi në kohën e Perandorisë Osmane. Banorët e parë u vendosën aty, në lartësinë 1030 metra mbi nivelin e detit, për t’i ikur hasmit, dhe ishin të gjithë të krishterë. Sot, fshati ka popullsi të përzier, ndërsa xhamia e re u ndërtua me kontributin e banorëve, për të nderuar historinë dhe traditat.
Fshati shtrihet rrëzë lumit Devoll, i cili buron nga mali i Gramozit. Pozicionimi i tij e ekspozon pothuajse gjithë ditën në diell, çka e lehtëson të ftohtin, pasi zona është e thellë dhe dimri i ashpër. Emri i tij, siç tregojnë banorët, vjen nga ata që e themeluan mes asgjëje, në një arë të vogël mes pyllit (Arrëz – arë e vogël).
Ajri i pastër mban erën e druve që digjen në sobë; këtu dimri vjen shpejt. Ecim përmes fshatit, në rrugicën e shtruar me gurë, e restauruar si pjesë e programit “100 Fshatrat”. Përfitim tjetër nga ky program, sipas banorëve, është asfaltimi i rrugës që vjen nga Bilishti. Ngritja e bujtinave ka ndodhur gjithashtu, pasi në fshat kanë nisur të vijnë vizitorë.
Sinicë
Shtegu na çon drejt e në Sinicë, një tjetër fshat i Devollit, pjesë e “100 fshatrave”, me të njëjtën arkitekturë të banesave prej guri, rrugicave me kalldrëm dhe shtëpive të renditura përgjatë tyre me saktësi mbresëlënëse.
Në mes të fshatit ndodhet Kisha e Shën Kollit, e restauruar por e mbyllur për vizitorët. Fshati ka më shumë gjallëri, dhe bujtinat e traditës sinicare janë më moderne. Raki e kumbullës nuk mungon as këtu, as lakra arme për ta shoqëruar.
Sinica shquhet për shtëpitë e vjetra, të ndërtuara me mjeshtëri të lartë nga vendasit, që herë-herë ngjajnë me kulla të fortifikuara, me dritare të vogla dhe harqe guri mbi porta.
Kisha e Shën Kollit (Nikollës), ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonë, thuhet se mban afreske dhe ikona me vlerë të lartë artistike, por që nuk mundëm t’i shohim. Historia thotë se kisha është gati 200 vjeçare, ndër më të hershmet e zonës juglindore të vendit. Restaurimi i saj u krye me kontributin e emigrantëve të Amerikës.
Pranë fshatit, mbi një nga degëzimet e lumit Devoll, ndodhet një urë e vjetër guri me hark. Banorët thonë se një nga vendet që kërkohen më shumë nga vizitorët është Ujëvara e Sinicës, e krijuar nga përrenjtë që zbresin nga mali.
Fshati Sinicë është gjithashtu një nga nyjet e shtegut të shenjuar Dardhë–Arrëz–Sinicë, një nga më të bukurit e juglindjes.
Rikthimi në Dardhë
Marrim rrugën për t’u rikthyer në Dardhë, ndërsa mjegulla largohet. Lagështia ka nxjerrë në shteg salamandrat bukuroshe me pika të verdha dhe me lëvizje të ngadalta, që i takon kudo. Në pyll, kërpudhat kanë kohën e tyre pas shiut.
Dardha avitet mes mjegullës në shpatin e malit, ndërsa përballë saj qëndron Guri i Vjeshtës, marramendës nga ngjyrat dhe kombinimet e përsosura mes tyre. Teksa ndalesh për ta vështruar dhe fotografuar, merr kuptim shprehja “një foto sa mijëra fjalë”, sepse është një panoramë për të cilën mund të thuash edhe më shumë se një mijë fjalë, dhe prapë nuk ke thënë gjithçka.
Fshati është i qetë. Banorët e përhershëm vazhdojnë punët e tyre të përditshme, ndërsa bujtinat kanë përcjellë vizitorët e drekës. Siç thonë banorët, fshati pret dëborën, kur të gjithë turren në Dardhë për të marrë nga qetësia e tij dhe për t’i dhënë gjallëri.
Kaq shumë histori, trashëgimi, mënyrë jetese, natyrë dhe vlera shpirtërore në 17 kilometrat e shtegut që lidh Dardhën me Arrëzën dhe Sinicën. Ia vlen në çdo hap.





Burimi: ata.gov.al










