HAVAI, 8 nëntor, ATSH/ Këngëtari legjendar amerikan i muzikës country, Willie Nelson, rrëfen për jetën, sfidat shëndetësore, humbjen e miqve dhe kujtimet e tij në një autobiografi të re, të titulluar “The Last Leaf”, që pritet të publikohet më 10 nëntor.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, Nelson, 93 vjeç, pranon se në rininë e tij nuk e imagjinonte se do të jetonte deri në këtë moshë. “Kam bërë gjithçka gabim. Nëse diçka ishte e gabuar, e bëja. Dhe nëse ishte vërtet e gabuar, e bëja dy herë”, shprehet ai, duke iu referuar konsumit të tepërt të alkoolit, duhanit dhe ilaçeve.
Largimi nga alkooli dhe droga
Artisti tregon se në vitin 1978 hoqi dorë nga alkooli dhe nga drogat, me përjashtim të kanabisit. Në moshën 86-vjeçare, ai ndërpreu edhe pirjen e kanabisit për shkak të problemeve me frymëmarrjen, por vijon ta konsumojë atë në formë ushqimore.
I pyetur për sekretin e jetëgjatësisë së tij, Nelson thotë se përpiqet të jetojë pa e ndërlikuar të ardhmen dhe të përqendrohet te gjërat që i sjellin lumturi. Ai vijon të performojë dhe e konsideron muzikën një pjesë të pandashme të jetës së tij.
Miqtë e humbur
Në librin e ri, këngëtari reflekton gjithashtu mbi humbjen e miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij të njohur, mes tyre Johnny Cash, Waylon Jennings dhe Kris Kristofferson. Ai shprehet se ndihet me fat që është ende gjallë dhe se vazhdon të bëjë atë që ka dashur gjithmonë: muzikë.
Nelson, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës country, është gjithashtu bashkëthemelues i nismës “Farm Aid”, e krijuar në vitin 1985 për të mbështetur fermerët amerikanë në vështirësi.
Burimi: ata.gov.al









