Princi Harry ka dhënë shpjegime lidhur me vendimin e tij, të bashkëshortes Meghan Markle dhe të dy fëmijëve të tyre për t’u rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një bisedë të re, ai ka treguar arsyet e largimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas gjashtë vjetësh, si dhe ka shprehur dëshirën për t’u pajtuar me vëllain e tij, Princin William, dhe me babanë e tij, Mbretin Charles, sipas Indeksonline.
Harry dhe Meghan u kthyen në Mbretërinë e Bashkuar në fund të verës, pasi ishin zhvendosur në Amerikë në vitin 2020.
Në intervistën për rubrikën “One More Question” të GQ, Harry ka bërë me dije se arsyet kryesore të kthimit ishin arsimimi i fëmijëve dhe dëshira për t’u qenë më pranë anëtarëve të familjes.
“Për mua është shumë me rëndësi që fëmijët të ndjekin një shkollë britanike. Nuk e kisha kuptuar sa e rëndësishme ishte kjo për mua. Gjithmonë e shihja si diçka që do të përpiqesha ta realizoja, dhe ja ku janë, dy javë në shkollë. Ata janë të entuziazmuar dhe është një përvojë krejtësisht e re për ta”, ka thënë ai.
I pyetur nëse dëshironte të pajtohej me Princin William dhe Mbretin Charles, Harry është përgjigjur në mënyrë pozitive.
“Po, pa dyshim. Kur bëhet fjalë për familjen, është një çështje me të cilën shumë njerëz mund të identifikohen. Grindjet mes vëllezërve e motrave, mosmarrëveshjet me prindërit… Shpesh bisedoj me njerëz për këtë dhe e di sa të zakonshme janë situata të tilla. Ndoshta njerëzit na shikojnë dhe pyesin veten: ‘Si do ta zgjidhin këtë? Ndoshta kjo do të më ndihmojë të zgjidh problemet e mia'”, ka thënë ai./Indeksonline/
Burimi: indeksonline.net










