TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe Kryeministri Rama zhvilluan mëngjesin e sotëm një takim me drejtuesit e shkollave të mesme të Tiranës në ambientet e Ministrisë së Arsimit.
Ministrja Kumbaro shprehu falënderimin për të gjithë drejtuesit e shkollave, duke i cilësuar ata si shtyllë e besimit në komunikimin me prindërit.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për secilin dhe secilën, pasi kanë qenë garancia kryesore dhe shtylla e besimit për prindërit. Në gjimnaze, ku hapësira për të abuzuar dhe keqpërdorur adoleshentët ka qenë më e madhe, kemi pasur një pjesëmarrje shumë më të lartë krahasuar me ditën e premte, kur niveli i mungesave ishte më i lartë për shkak të frikës dhe panikut të prindërve për t’i dërguar fëmijët në shkolla në një situatë aspak normale.”
Kumbaro theksoi se në këto momente është shumë e rëndësishme mbështetja psikologjike që u ofrohet nxënësve, të cilët përballen me pamje që nuk do të duhej t’i përjetonin në jetën e tyre si adoleshentë, duke garantuar se procesi mësimor do të plotësohet plotësisht. Ajo njoftoi se është ngritur një ekip psikologësh.
“Kemi ngritur një ekip psikologësh të cilët do të jenë në dispozicion të familjeve, prindërve dhe fëmijëve të familjeve që në një mënyrë apo në një tjetër janë përfshirë në protestat e dhunshme, mund të jenë adoleshentë të shoqëruar në polici apo pjesë e një skenari aspak të zakontë për moshën e tyre. Është detyra jonë t’u ofrojmë gjithë këshillimin psikologjik për të mos lejuar që këto trauma të jenë pjesë e historikut të jetës së tyre”.
Ministrja Kumbaro përmendi edhe komunikimin e forcuar me oficerët e sigurisë gjatë këtyre ditëve.
Burimi: ata.gov.al









