Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Shëndetësi

Pacienti gëlltiti një gjilpërë, AL-DENT V e quan instrument të vogël, Inspektorati gjen shkelje të tjera dhe e gjobit

Pacienti gëlltiti një gjilpërë, AL-DENT V e quan instrument të vogël, Inspektorati gjen shkelje të tjera dhe e gjobit

Një pacient e ka gëlltitur pa dashje një gjilpërë endodontike gjatë një trajtimi stomatologjik në një klinikë private në Skenderaj. Rasti ka përfunduar në Polici dhe në Inspektoratin Shëndetësor. Përveç ngjarjes me pacientin, inspektorët kanë vërejtur edhe parregullsi në dokumentacionin e këtij institucioni shëndetësor.

Klinika nuk e kishte njoftuar stafin aktual shëndetësor në sistemin elektronik të Ministrisë së Shëndetësisë, për çka është gjobitur me 2 mijë euro.

Insajderi ka siguruar vendimin e Inspektoratit Shëndetësor, sipas të cilit inspektimi në institucionin privat shëndetësor “Al-Dent V” është kryer pas kërkesës së Stacionit Policor në Skenderaj.

Kontrolli kishte të bënte me rastin e pacientit me inicialet G.A., i cili kishte marrë shërbim shëndetësor më 28 janar 2026 nga stomatologu Ismet Uka.

“Inspektorati Shëndetësor me kërkesë të BF-200/1 (Bravo Foxtrot) të Stacionit Policor Skenderaj, bëri inspektimin në IPSH ‘Al – Dent V’, lidhur me pacientin me inicialet G.A., i cili kishte marrë shërbim shëndetësor me datë: 28/01/2026 nga Dr. Ismet Uka, për të verifikuar respektimin e normave ligjore, kodin profesional dhe standardet e cilësisë”, thuhet në vendimin që e posedon Insajderi.

Inspektorati konstatoi shkelje në regjistrimin e stafit

Gjatë inspektimit në terren dhe verifikimeve në sistemin elektronik të Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht në Divizionin për Licencim dhe Akreditim (DLA), inspektorët konstatuar se institucioni nuk e kishte njoftuar stafin aktual shëndetësor që nga nëntori i vitit 2020.

Për këtë shkelje, klinikës iu shqiptua gjobë prej 2 mijë eurosh për mosrespektim të dispozitave të Ligjit për Shëndetësi.

Në përgjigjen për Insajderin, përfaqësuesit e klinikës kanë deklaruar se mjekët dhe stafi përcjellës janë të licencuar, të pajisur me libreza higjieno-sanitare dhe të punësuar me kontrata të rregullta.

Sipas tyre, punonjësit janë të njoftuar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ndërsa për ta paguhen kontributet pensionale në Trust dhe tatimi në të ardhura.

“Mjekët dhe stafi përcjellës të gjithë janë të licencuar, të pajisur me librezë higjieno-sanitare, si dhe në marrëdhënie pune me kontrata të rregullta, të lajmëruar në ATK sipas ligjeve në fuqi, me pagesa për TRUST dhe tatim në të ardhura. Të cilat mund të vini dhe t’i verifikoni që të gjitha me dokumentacione zyrtare”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithatë, klinika ka pranuar se stafi nuk ishte regjistruar në sistemin elektronik të DLA-së pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

“Arsyeja pse nuk janë kon të lajmrum në sistemin DLA pranë MSH është mosdija dhe neglizhenca jonë, për të cilën edhe jemi gjobitur”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Klinika: Pacienti u dërgua për ekzaminim radiologjik

Sa i përket incidentit gjatë trajtimit stomatologjik, klinika ka deklaruar se pacienti G.A. e kishte gëlltitur pa dashje një “instrument të vogël” dhe se mjeku kishte vendosur ta dërgonte për ekzaminim radiologjik në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Pacienti G.A. ka qenë në trajtim e sipër, ku gjatë trajtimit në procedurë e sipër ka gëlltitur një instrument të vogël, dhe mjeku me qëllim që të sigurohet që për shkak të madhësisë së vogël të instrumentit mjekësor e kemi dërguar në QKMF për ekzaminim radiologjik”, thuhet në përgjigjen e klinikës.

Sipas saj, radiografia kishte treguar se instrumenti kishte kaluar në zorrën dymbëdhjetëgishtore dhe se nuk nevojitej ndërhyrje.

“Në kohën e bërjes së radiografisë, është konstatuar që instrumenti ka kalu në zorrën dymbëdhjetëgishtore dhe se nuk nevojitet intervenim për rastin në fjalë”, thuhet në përgjigje.

Klinika ka shtuar se, në raste të tilla, QKMF-ja njofton Policinë, e cila më pas e njofton Ministrinë e Shëndetësisë.

“Gjithmonë në raste të tilla QKMF-ja lajmëron organet policore, policia lajmëron MSH-në… e kështu me radhë”, thuhet në përgjigje.

Klinika ka sqaruar se më herët ishte e licencuar me emrin “AL DENT VR SH.P.K.”, por se një klinikë tjetër në Ferizaj, me emër të ngjashëm tregtar, e kishte regjistruar emrin si markë tregtare dhe e kishte paditur në Gjykatën Komerciale.

Sipas përfaqësuesve të klinikës, pas një vendimi që i obligonte ta ndryshonin emrin, ata nisën procedurat në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës dhe përfundimisht kaluan në emrin “MARA Dent SH.P.K.”.

Për shkeljen e konstatuar nga Inspektorati, klinika ka pranuar se stafi nuk ishte regjistruar në sistemin elektronik të Ministrisë së Shëndetësisë, ndonëse, sipas saj, punonjësit i kishin dokumentet e nevojshme.

“Arsyeja pse nuk janë të lajmëruar në sistemin DLA pranë MSh-së është mosdija dhe neglizhenca jonë, për të cilën edhe jemi gjobitur”, thuhet në përgjigje.

Klinika ka konfirmuar se gjobën prej 2 mijë eurosh e ka paguar dhe se aktualisht posedon licencë të vlefshme deri në vitin 2031.

Nga kërkimet që ka bërë Insajderi në ARBK, del se biznesi paraprak “Valon Rama B.I.” me emër tregtar “AL-DENT V” figuron i shuar më 8 mars 2024, datë kjo kur është regjistruar subjekti i ri “Ordinanca Stomatologjike MARA Dent SH.P.K.” (me NUI 812136788), i cili figuron me status Aktiv.

Për këtë ndryshim dhe pajisjen me dokumentacion ka deklaruar edhe vetë pronari Valon Rama në përgjigjen e tij për Insajderin.

“Pra ORDINANCA STOMATOLOGJIKE MARA DENT SH.P.K. Eshte e pajisur edhe me licencen e re deri ne vitin 2031, stafi gjithashtu kan qene dhe jane te me te gjitha dokumntacionin qe kekrohet sipas ligjeve ne fuqi”, ka thënë ai.

/Insajderi

Gjobitet Spitali “Lindja”, Inspektorati gjen mungesë të biokimistit dhe parregullsi me stafin

Inspektorati gjeti biznesin kozmetik të vajzës në ambulancën e babait, mjeku e pagoi gjobën por e quan të padrejtë

Shërbime të palicencuara dhe teste për HIV pa leje, Inspektorati gjobit “Vitalab”-in në Podujevë

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha