Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Bota

Kolumbi, të paktën 14 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në një minierë ari

Kolumbi, të paktën 14 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në një minierë ari

RIO DE ZHANEIRO, 20 tetor /ATSH-DPA/- Të paktën 14 veta vdiqën dje si pasojë e një rrëshqitjeje dheu në një minierë ari në jugperëndim të Kolumbisë.

Ngjarja ndodhi në një zonë rurale të komunës Santa Bárbara de Iscuandé, në bregdetin e Oqeanit Paqësor, në departamentin e Nariños, siç bënë me dije autoritetet rajonale.

“Të paktën shtatë persona të tjerë mbetën të lënduar”, deklaroi Álex González, sekretar për paqen dhe të drejtat e njeriut në Nariño.

Mediat vendase raportuan se mbi 40 persona po punonin në minierë në momentin kur ndodhi shembja. Në fillim, nuk u bë i njohur shkaku i saktë i rrëshqitjes së dheut.

González theksoi se veprimtaria minerare në rajonin e Paqësorit në Kolumbi përgjithësisht nuk kontrollohet dhe nuk rregullohet si duhet.

Nxjerrja e arit është një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë kolumbianë.

Megjithatë, ky metal i çmuar nxirret shpesh pa lejet e nevojshme dhe pa masa sigurie, duke shkaktuar aksidente të përsëritura me viktima.

Sipas një raporti të vitit 2025, të përgatitur nga qeveria kolumbiane dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), tri të katërtat e zonave të identifikuara ku nxirret ar nga sedimentet e lumenjve nuk ishin të autorizuara për këtë veprimtari.

Në gusht, 13 persona humbën jetën në një aksident të ngjashëm në një minierë në komunën Policarpa, gjithashtu në departamentin e Nariños. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha