Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Rama në Ministrinë e Arsimit: Protestat e dhunshme, pjesë e luftës hibride për marrjen e pushtetit me forcë

Rama në Ministrinë e Arsimit: Protestat e dhunshme, pjesë e luftës hibride për marrjen e pushtetit me forcë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një reagim të ri në lidhje me protestat e dhunshme që kanë vijuar prej disa ditësh në Tiranë. Ai i ka përshkruar sulmet kundër institucioneve dhe Policisë së Shtetit si pjesë e një lufte hibride, e cila, sipas mendimit të tij, ka për qëllim marrjen e pushtetit me anë të dhunës.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se pas protestës qëndrojnë individë të organizuar dhe të trajnuar për të nxitur përplasjet, duke shtuar se dhuna nuk ka asnjë lidhje me të drejtën e nxënësve dhe studentëve për të protestuar.

Kryeministri u ndal edhe te sulmi ndaj institucionit ku mbajti fjalimin, duke treguar një gur të shkëputur nga trotuari, të cilin e quajti mjet të rrezikshëm që mund të shkaktojë pasoja të rënda nëse hidhet drejt efektivëve të policisë.

Sipas Ramës, përmes këtyre sulmeve synohet të krijohet përshtypja se protesta ka lidhje me problematikat e arsimit, ndërsa qëllimi i vërtetë, sipas tij, është të justifikohet dhuna dhe të arrihet marrja e pushtetit me forcë.

“Ndodhemi këtu në këtë institucion që është bërë objekt sulmi dhe në fakt i një agresioni të vërtetë me gurë të shkulur nga trotuaret e rrugës së Durrësit. Është vendosur në qendër të vëmendjes vetëm për një arsye, për të kamufluar atë që në të vërtetë është në burimin e helmuar të kësaj proteste. Për të krijuar idenë që kjo është një protestë për arsimimin dhe për të justifikuar këtë valë dhune që s’ka të bëjë as me nxënësit e as me studentët. Brenda atij grupi ka edhe studentë që janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, që u përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, por problemi nuk janë asnjëherë studentët që ushtrojnë të drejtën e protestës. Këtu flasim për ushtrimin e dhunës. Kam marrë këtë gurin në dorë dhe kur imagjinon peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të Policisë, është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi. Ky gur përcakton ku mbaron e drejta e protestës”, tha Rama.

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha